Profesori universitar, Gëzim Qerimi, ka reaguar lidhur me publikimin shkencor të krye kuvendarit Dimal Basha, i cili në bashkautorësi me Jana Arsovska , e kanë cilësuar UÇK-në, si organizatë në themel “e krimit dhe trafikantëve të drogës”.
Qerimi në një prononcim për GazetaBlic, ka thënë se Dimal Basha është bashkautor i atij punimi dhe se kjo nënkupton që ai ka pranuar të gjithë përmbajtjen e tekstit.
“Publikimi i një punimi ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës lidhet me krimin e organizuar dhe me drogën është skandal i rëndë, i papranueshëm dhe një fyerje e drejtpërdrejtë për luftën e shenjtë të popullit tonë. Dimal Basha është bashkautor i atij punimi. Kjo nënkupton që ai ka pranuar të gjithë përmbajtjen e tekstit. Në praktikën akademike, bashkautorësia është baras me pajtimin e plotë me punimin, dhe nuk ka asnjë justifikim që të thuhet se je autor “vetëm i një pjese”, shprehet Qerimi.
Tutje ai shton, se dorëheqja e tij është me e pakta që mund të bëjë.
“Andaj, dorëheqja nga çdo funksion publik e politik është më e pakta që mund të bëjë. Përndryshe, vazhdimi i tij në politikë është një fyerje e dyfishtë. UÇK-ja nuk mund të njolloset me shpifje akademike”, tha ai.