Memli Krasniqi: Demonizimi i UÇK-së është filozofia e Kurtit dhe Vetëvendosjes - Basha është fytyra e tyre e vërtetë - Gazeta Express
string(113) "memli-krasniqi-demonizimi-i-uck-se-eshte-filozofia-e-kurtit-dhe-vetevendosjes-basha-eshte-fytyra-e-tyre-e-vertete"

Gazeta Express

28/08/2025 10:09

Memli Krasniqi: Demonizimi i UÇK-së është filozofia e Kurtit dhe Vetëvendosjes – Basha është fytyra e tyre e vërtetë

Gazeta Express

28/08/2025 10:09

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, është dëshmi e vazhdimit të një filozofie politike kundër UÇK-së dhe trashëgimisë së saj.

“Nëse është dikush që e ka pasur mënyrë jetese demonizimin e UÇK-së dhe të udhëheqësve të saj, ai është Albin Kurti. Rrjedhimisht, gati secili që i është bashkuar atij, ka pasur ose ka përvetësuar të njëjtin mentalitet,” ka thënë Krasniqi.

Ai ka përmendur propozimet e Vetëvendosjes për kryetar të Kuvendit si “shembull të qartë” të kësaj qasjeje.

 “Albulena Haxhiu, Donika Schwartz, Hekuran Murati – të tre me qëndrime dhe veprime kundër UÇK-së dhe trashëgimisë së saj. Njëra duke ua zvogëluar fondet e mbrojtjes në Gjykatën e Hagës, tjetra duke pranuar se ka dorëzuar dosje kundër krerëve të UÇK-së, e tjetri duke përjashtuar nga paga minimale kategoritë e luftës çlirimtare dhe duke i fyer luftëtarët e lirisë në krahasimet që ua bënte me mercenarë.”

Sipas tij, edhe Kryeparlamentari i ri, me artikullin e tij kundër UÇK-së, e dëshmon të njëjtën linjë politike.

 “Edhe Kryekuvendari i ri, me artikullin e tij morbid kundër UÇK-së, i cili doli dje në pah, vetëm sa e konfirmon filozofinë e Vetëvendosjes: sa më shumë të distancohesh nga UÇK-ja, aq më shpejt ngjitesh në parti. Kjo edhe mund të jetë formula e tyre e brendshme.”

Krasniqi tha se vota e PDK-së nuk ka qenë për individin, por për të mbajtur zotimin e dhënë qytetarëve dhe për të çuar drejt fundit një bllokadë institucionale disa mujore.

 “Vota jonë nuk ka qenë për individin – por për të mbajtur zotimin e dhënë para qytetarëve, me qëllim të dhënies fund bllokadës institucionale. Por, edhe për ta zhveshur Vetëvendosjen dhe për ta vënë para reflektorit publik të së vërtetës. Sepse, gjatë janë fshehur e amnistuar prapa Glaukave, por në fakt këta janë Dimala. Nëse ndokush ka pasur dyshime, qoftë edhe brenda elektoratit të tyre, sot besoj e kanë të qartë këtë.”

Ai ka drejtuar kritika të drejtpërdrejta edhe ndaj Vetëvendosjes dhe kryeministrit Kurti.

 “Turpi i mbetet Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit, të cilët me insistim e kandiduan Dimal Bashën. Por, një gjë po vërtetohet edhe tash, siç e kishim thënë në dy herët e kandidimit të tij – ai nuk është i denjë që të jetë Kryetar i Kuvendit.”

Krasniqi tha se partia e tij do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të luftës së UÇK-së dhe shtetit të Kosovës.

 “Sa për PDK-në, partinë që e pasoi UÇK-në, pavarësisht gjithçkaje e çdo zhurme, do ta mbrojmë me çdo kusht, si çdo herë tjetër, luftën e UÇK-së dhe shtetin e Kosovës.”