Shtëpia e Bardhë njoftoi se ka shkarkuar nga detyra drejtoreshën e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), Susan Monarez, pasi ajo refuzoi të jepte dorëheqjen. Në deklaratë thuhej se Monarez “nuk ishte e përafruar me agjendën e presidentit” dhe për këtë arsye u largua nga posti.
Pak më herët, Departamenti i Shëndetësisë kishte njoftuar për largimin e saj, çka solli një reagim nga avokatët e Monarez, të cilët thanë se ajo nuk ishte informuar për shkarkimin dhe se nuk kishte ndërmend të jepte dorëheqjen.
Ata e akuzuan sekretarin e Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., se po “armatos shëndetin publik” duke ushtruar presion për vendime të papërgjegjshme dhe duke larguar ekspertët.
Dr. Monarez, shkencëtare e karrierës në administratën federale, ishte emëruar nga presidenti Donald Trump dhe u konfirmua në korrik me votat e republikanëve në Senat.
Para saj, Trump kishte tërhequr kandidaturën e ish-kongresmenit republikan Dave Weldon, i kritikuar për qëndrimet e tij mbi vaksinat.
Largimi i Monarez u pasua menjëherë nga dorëheqja e disa drejtuesve të lartë në CDC. Shefja mjekësore Debra Houry paralajmëroi në një letër për “rritjen e dezinformimit mbi vaksinat” dhe kritikoi planet për shkurtime buxhetore.
Ndërkohë, Daniel Jernigan, drejtor i Qendrës për Sëmundjet Infektive dhe Zoonotike, dha dorëheqjen duke përmendur “kontekstin aktual në departament”.
Edhe Demetre Daskalakis, drejtues i Qendrës për Imunizim dhe Sëmundje Respiratore, deklaroi se nuk mund të vijonte punën “për shkak të politizimit të shëndetit publik”.
Sipas mediave amerikane, dorëheqje ka dhënë edhe Jennifer Layden, drejtoreshë e Zyrës për të Dhënat dhe Teknologjinë e Shëndetit Publik.
Këto zhvillime ndodhin ndërkohë që ekspertët shprehin shqetësim për drejtimin që po merr politika e vaksinimit nën drejtimin e Kennedy, i njohur si skeptik i vaksinave.
Po të mërkurën, Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi vaksina të reja kundër Covid, por vetëm për të moshuarit dhe personat me sëmundje shoqëruese, duke përjashtuar të rinjtë dhe fëmijët e shëndetshëm.
Monarez ishte drejtoresha e parë e CDC-së në 50 vjet pa diplomë mjekësore, me profil në kërkimin e sëmundjeve infektive.
Gjatë muajit të saj në krye të agjencisë, ajo mori pjesë në mbështetjen e stafit pas një sulmi të armatosur në selinë e CDC në Atlanta, ku një polic mbeti i vrarë.
Shkarkimi i saj vjen vetëm pak ditë pasi sindikata e punonjësve të CDC bëri të ditur se rreth 600 punonjës ishin pushuar nga puna, mes tyre edhe ekspertë që punonin për gripin e shpendëve, rreziqet mjedisore dhe menaxhimin e të dhënave publike.