Pas muajsh bllokadë institucionale, Dimal Basha u zgjodh dje kryetar i Kuvendit të Kosovës, duke marrë 64 vota pro nga deputetët.
Në të njëjtën seancë u votuan edhe tre nënkryetarët e Kuvendit:
Albulena Haxhiu (VV),
Vlora Çitaku (PDK), dhe
Kujtim Shala (LDK).
Megjithatë, menjëherë pas zgjedhjes së Bashës, nisën të qarkullojnë pretendime në media dhe opinion publik se ai mund të japë dorëheqje nga pozita e kryeparlamentarit, ndërsa në vend të tij të vendoset përkohësisht si ushtruese detyre nënkryetarja Albulena Haxhiu.
Për të sqaruar nëse një skenar i tillë është i mundur dhe çfarë pasoja institucionale do të kishte, lajmi.net ka kontaktuar me Naim Jakajn, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).
Jakaj vlerëson se një veprim i tillë do të ishte i gabuar dhe i dëmshëm për demokracinë parlamentare.
“Ne konsiderojmë se kjo është një praktikë e keqe dhe e dëmshme të një kuvendi demokratik, sepse pozita e kryetarit të kuvendit dihet se kujt i takon. VV është dashur të mendoj këtë pozitë para se të kandidoj z. Dimal Basha ose secilin kandidat tjetër nga partia e tij dhe në këtë rast Kuvendi i Kosovës nuk do të duhej të bëhej lojë ose të bëhet fiskulturë me pozicionin e kryetarit të kuvendit, sepse kryetari i kuvendit nuk duhet të jetë vakant, ai duhet të jetë pozitë që votohet nga shumica absolute e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në mënyrë që të ushtrohet funksioni i plotë i tij.”
Tutje, ai thekson se funksioni i kryetarit nuk mund të mbetet i paplotësuar për një kohë të pacaktuar, dhe as të zëvendësohet me nënkryetar në mënyrë të përhershme.
“Nuk është paraparë mundësia që kryetari të japë dorëheqje e të mos zëvendësohet dhe nuk parashihet që funksioni i nënkryetarit të zhvillohet deri në pafundësi nga nënkryetarët sepse siç e thashë edhe më herët është një praktikë e dëmshme dhe e keqe në funksionim të një Kuvendi Demokratik.”
Nëse Dimal Basha do të dorëhiqej nga pozita, Jakaj sqaron se është obligim i VV-së ta propozojë një kandidat të ri për kryetar Kuvendi.
“Nëse dorëhiqet z. Basha nga pozicioni i kryetarit të Kuvendit, atëherë në rendin e ditës të Kryesisë së Kuvendit për seancën plenare, do të kërkoj nga VV që të propozojë një kryetar të ri të Kuvendit, sepse një pozitë e tillë nuk mund të mbetet vakante.”, përfundoi ai.