Osmani takon emisarin francez - mbështet ndërtimin e urave të reja mbi Ibër: Të hiqen masat e BE, dëmtojnë zhvillimin e vendit - Gazeta Express
string(122) "osmani-takon-emisarin-francez-mbeshtet-ndertimin-e-urave-te-reja-mbi-iber-te-hiqen-masat-e-be-demtojne-zhvillimin-e-vendit"

Lajme

Gazeta Express

27/08/2025 17:45

Osmani takon emisarin francez – mbështet ndërtimin e urave të reja mbi Ibër: Të hiqen masat e BE, dëmtojnë zhvillimin e vendit

Lajme

Gazeta Express

27/08/2025 17:45

Presidentja Osmani në takim me përfaqësuesin francez mbështet ndërtimin e urave të reja mbi Ibër dhe kërkon heqjen urgjente të masave ndaj Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani ka takuar sot të dërguarin e posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, ambasadorin Rene Troccaz. Gjatë takimit, siç bëhet e ditur në komunikatën për media, ata diskutuan zhvillimet politike në Kosovë dhe siguria rajonale.

Në njoftim theksohet edhe se Osmani ka përsëritur orientimin strategjik të Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe përkushtimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Po ashtu, thuhet se Osmani ka theksuar se Kosova është e përkushtuar ndaj stabilitetit politik dhe funksionimit të plotë demokratik të institucioneve, duke përmendur zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe të shumicës së nënkryetarëve si hapa kyç në këtë drejtim.

‘‘Në lidhje me hapjen e urës së re mbi lumin Ibër si dhe vazhdimin e ndërtimit të një ure shtesë, Presidentja Osmani theksoi se mirëpret ndërtimin e tyre, duke vënë në pah rolin pozitiv që urat luajnë në integrimin, bashkimin dhe afrimin e qytetarëve, përmes lehtësimit të lëvizjes, bashkëpunimit dhe transportit. Ajo rikujtoi më tej se mbyllja e urës kryesore në Mitrovicë në vitin 1999 nuk ishte bërë për çështje sigurie por për shkak të vendimeve jashtëzakonisht të dëmshme politike dhe se është për keqardhje që edhe 26 vite pas mbylljes e tashmë 10 vite pas marrëveshjes së Brukselit për hapjen e urës, ende ajo mbetet e mbyllur. Ajo shtoi se nuk janë urat ato që krijojnë tensione, por janë njerëzit e dhunshëm sikur strukturat ilegale kriminale të financuara nga Serbia, të cilat kanë krijuar dhunë e tensione përgjatë këtyre dekadave.  “Është veprimtaria kriminale dhe destabilizuese e Radojçiqit dhe grupeve kriminale në veri që pengonte normalitetin dhe lëvizjen e lirë, duke krijuar atmosferë frike dhe tensioni , e jo urat”, theksoi ajo. Presidentja sqaroi se këto struktura ilegale kriminale janë të vetmet përgjegjëse për dhunën e tensionet dhe jo infrastruktura që ndërtohet për të bashkuar komunitetet’’, thuhet mes tjerash në njoftim.

Osmani gjatë takimit ka folur edhe për masave kufizuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, ku ka thënë se përveçse se janë të padrejta, sepse godasin pa arsye qytetarët e Kosovës dhe mirëqenien e tyre, ato poashtu dëmtojnë proceset demokratike dhe zhvillimin e vendit si dhe dëmtojnë kredibilitetin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja.

Në përfundim, Presidentja riafirmoi gatishmërinë e Kosovës për të qenë një partner i besueshëm në forcimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.