RTK thotë se i hoqi nga moderimi disa gazetarë për shkak të "avancimit programor" dhe rritjes së "cilësisë": S'tolerojmë më - Gazeta Express
string(117) "rtk-thote-se-i-hoqi-nga-moderimi-disa-gazetare-per-shkak-te-avancimit-programor-dhe-rritjes-se-cilesise-stolerojme-me"

Lajme

Gazeta Express

27/08/2025 14:29

RTK thotë se i hoqi nga moderimi disa gazetarë për shkak të “avancimit programor” dhe rritjes së “cilësisë”: S’tolerojmë më

Lajme

Gazeta Express

27/08/2025 14:29

Menaxhmenti i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) ka dalë me një deklaratë pas reagimeve të disa gazetarëve që thanë se u përjashtuan arbitrarisht nga moderimi.

RTK tha se “dëshiron të sqarojë opinionin publik lidhur me reagimet e disa redaktorëve për mosangazhimin e tyre si moderatorë në disa emisione” duke u arsyetuar se ato u bënë me qëllim të “avancimit programor” dhe “rritjes së cilësisë”.

“RTK po kalon një fazë avancimi programor dhe organizativ, me qëllim rritjen e cilësisë së përmbajtjes në të gjitha kanalet dhe platformat, me fokus të veçantë në forcimin e kanalit informativ RTK3. Në këtë kuadër janë ndërmarrë disa riorganizime të stafit, të cilat janë vendime të natyrës menaxheriale dhe nuk kanë karakter ndëshkues apo disiplinor. Kontratat e punës së redaktorëve mbeten të paprekura. Detyrat e tyre lidhen me redaktim dhe mbikëqyrje editoriale, jo me moderim, ndaj lirimi i tyre nga ky rol është në përputhje me kontratat dhe rregulloret e brendshme”.

RTK pretendoi se “pretendimet për “censurë” apo “heshtje të zërit profesional” nuk qëndrojnë”.

“Redaktorët vazhdojnë të kenë liri dhe të drejtë të plotë editoriale, të cilën e demonstrojnë përmes paraqitjeve publike në programet e RTK-së, si asnjëherë më parë”.

Menaxhmenti i këtij mediumi aludoi se situata financiare në të cilën gjendet po shfrytëzohet nga punonjësit e RTK-së për prononcime në rrjete sociale, duke paralajmëruar se nuk do t’i tolerojnë.

“Ndonëse RTK aktualisht po funksionon në rrethana jo të zakonshme, kjo gjendje nuk do ta pengojë institucionin në avancimin e ofertës programore dhe përmirësimin e proceseve të punës. Në asnjë rast kjo situatë nuk mund të shfrytëzohet nga punonjësit e RTK-së për të bërë prononcime në rrjete sociale me përmbajtje politike, ofenduese, apo të papajtueshme me etikën dhe standardet profesionale. Po ashtu, çdo deklarim i pabazuar në fakte, që përhap dezinformata duke dëmtuar integritetin e institucionit, nuk do të tolerohet tutje dhe të gjitha këto veprime do të trajtohen në përputhje me ligjin dhe rregulloret e RTK-së në fuqi”.

Si transmetues publik, RTK tha se “është e përkushtuar ndaj transparencës, respektimit të ligjit dhe kontratave, pavarësisë editoriale dhe objektivitetit, me theks ofrimin e përmbajtjes cilësore për qytetarët e Kosovës”.

“Në këtë kuadër, RTK thekson se respekton lirinë e shprehjes dhe të drejtën e gazetarëve për të punuar pa ndërhyrje, ndërsa çdo shqetësim i ngritur nga redaktorët, apo publiku do të trajtohet me seriozitet dhe në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale. Menaxhmenti i RTK-së mbetet i vendosur dhe i palëkundur në avancimin e ofertës programore, duke e zhvilluar atë mbi bazën e parimeve universale të transmetuesve publik: paanshmërisë, objektivitetit, neutralitetit dhe depolitizimit të plotë. Çdo vendim dhe hap i ndërmarrë do të ketë për qëllim forcimin e rolit të RTK-së si institucion i pavarur, i besueshëm dhe i depolitizuar, në shërbim të qytetarëve të Kosovës”.

Gazetarja Blerta Foniqi-Kabashi, e cila së fundi zhvilloi një debat të nxehtë me deputeten e pushtetit, Fitore Pacolli, gjatë emisionit që e udhëheq ajo në RTK, tha se ajo dhe disa kolegë të saj kanë marrë një njoftim të paparalajmëruar se janë përjashtuar nga moderimi i emisioneve. Ajo tha se kjo përbën alarm për cenzurë në televizionin publik.

“Të premten, në fund të orarit të punës, ne të poshtëshënuarit morëm një njoftim të paparalajmëruar dhe joligjor, me të cilin nga data 1 shtator, përjashtohemi nga moderimi i emisioneve, përkatësisht i magazinës së orës 17:00 dhe lajmeve të orës 23:00. Lidhur me këtë situatë, kemi kërkuar edhe takim me menaxhmentin e RTK-së, por nuk kemi marrë përgjigje”.

Foniqi-Kabashi tha se tendenca e menaxhmentit të RTK-së është “e qartë dhe e shpërfaqur hapur”.

“Këtë e vërteton edhe fakti i paralajmërimeve për heqjen nga skema programore të magazinave informative, sa herë që në këto magazina janë realizuar intervista me të ftuar nga partia në pushtet, të cilët kanë shprehur pakënaqësi nga ballafaqimi profesional. Vendimi arbitrar për ndërhyrjen në skemën programore, duke hequr tani Magazinën e orës 17:00 dhe muaj më parë Magazinën “Lajmet e fundit”, është edhe i paligjshëm, pasi skema programore mund të ndryshohet vetëm nga Bordi, ndërsa aktualisht RTK nuk ka Bord funksional”.

Ajo ka paralajmëruar se do t’i ndjekin rrugët ligjore bashkë me kolegët e saj: Meneta Zekaj Nushi, Jehona Zhitia, Edona Musa, Arton Mulliqi dhe Valon Bajrami. /Express/