Edhe pse gjatë gjithë natës vatrat e zjarrit në pyllin e Poros, pranë hidrovorit, janë mbajtur nën monitorim të vazhdueshëm, rreth orës 11:30 të ditës së sotme, flakët janë riaktivizuar sërish, duke rrezikuar përhapjen në zona të tjera pyjore.
Në terren ndodhen forca të shumta zjarrfikëse, të mbështetura nga 40 trupa të Forcave të Armatosura, të cilët po asistojnë në operacionin për izolimin dhe shuarjen e zjarrit. Deri tani, flakët kanë qëndruar të ndezura për gati 48 orë, duke shkrumbuar një sipërfaqe të konsiderueshme të pyllit me pisha.
Shefi i shërbimit zjarrfikës, Luan Kapaj, deklaroi se situata mbetet kritike, pasi era e fortë dhe temperaturat e larta po favorizojnë riaktivizimin e vatrave në mënyrë të papritur.
“Ndodhemi në gatishmëri të plotë. Flakët po riaktivizohen herë pas here dhe rreziku është real që të përhapen në zonën tjetër të pyllit”, u shpreh Kapaj.
Ndërkohë, pjesa tjetër e pyllit vijon të mbahet nën vëzhgim të rreptë, pasi ekziston rreziku që zjarri të kalojë kanalin e hidrovorit dhe të përhapet në zonën përreth, e cila është me vegjetacion të dendur dhe terren të vështirë për ndërhyrje.