Derisa Inter Miami poi përgatitet për Clásico del Sol të radhës kundër Orlando City, e vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës së Ligës, që do të luhet sonte në Chase Stadium, Sergio Busquets e ka befasuar edhe Lionel Messin me një deklaratë të tij për të ardhmen.
Mesfushori spanjoll nuk ka garantuar gjë për vazhdimin e tij: konrata e tij me klubin nga Florida do të skadojë në dhjetor, ndërsa 37 vjeçari thotë se pensionimi i tij nga futbolli profesionist po afron, shkruan “Gazeta Express”.
“Kur jam larguar nga Barcelona e dija se nuk do të kthehesha më në Spanjë apo në Evropë. E kam edhe një moshë të shtyrë: jam shumë më afër pensionimit sesa të vazhdimit të të luajturit futboll”, deklaroi veterani i mesfushës.
“Nuk ka ende asgjë zyrtare e as një mundësi të vazhdimit të kontratës, e as një ceremoni të lamtumirës”, shtoi ai.
Mbetet të shihet se edhe sa kohë do ta shohim duke luajtur njërin prej mesfushorëve defanzivë më të mirë të Shekullit 21.
Përkundër moshës, ai ka sjell stabilitet në ekipin e Inter Miamit, i cili do të ishte mjaft i lumtur nëse lojtari bindet për të luajtur së paku edhe një vit në Florida. /Gazeta Express