Qeveria shqiptare ka shpërblyer sot forcat e angazhuara në përballimin e zjarreve masive që kanë përfshirë vendin gjatë muajve të fundit.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi punën e ushtarakëve, punonjësve civilë dhe personelit mjekësor, duke e cilësuar situatën si një “kronikë dramatike, por me nota përkushtimi”.
Ai shprehu mirënjohjen ndaj të gjithë atyre që, me guxim dhe sakrificë, luftuan me flakët për të mbrojtur jetën, pronën dhe natyrën shqiptare.
“Të nderuar ushtarakë, civilë dhe mjekë. Jemi sot këtu për të shprehur mirënjohjen dhe për t’u përulur me respekt përpara jush dhe gjithë asaj që ju përfaqësoni. Beteja e zjarreve që përfshiu territore të konsiderueshme të territorit tonë ishte një kronikë e gjatë ethesh, plagësh, dhimbjesh, një kronikë dramatike, por me nota stërmundimi përkushtimi dhe momente kulmore edhe heroizmi njerëzor, që i bëjnë nder uniformave tuaja dhe falë jush nderojnë shtetin shqiptar, lartësojnë republikën tonë“, tha kryeministri Rama.