Shiu i dendur shkaktoi rrëshqitje dheu në një rrugë të famshme të pelegrinazhit hindus në rajonin verior indian Jammu, duke lënë të vdekur të paktën 30 njerëz, tha të mërkurën agjencia e lajmeve ANI, ndërsa vërshimet nxitën paralajmërime zyrtare që njerëzit të qëndronin brenda natën.
Zyrtarët e motit parashikojnë më shumë shi e stuhi me erë për rajonin malor Ladakh, ndërsa shiu i dendur pritet t’i përfshijë territoret Jammy dhe Kashmir, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kryeministri rajonal, Omar Abdullah, tha se autoritetet po mundoheshin që t’i rikthenin shërbimet e telekomunikimit, pasi komunikimi ishte “pothuajse joekzistent”.
Rrëshqitja e dheut afër faltores Vaishno Devi në rrugën e pelegrinëve la të vdekur së paku 30 njerëz, raportoi agjencia ANI.
Këto ishin pasojat më të reja nga reshjet në rajonin e Himalajeve, ku kanë vdekur së paku 60 njerëz, ndërsa 200 të tjerë u zhdukën në Kishtwar javën e kaluar, në pjesën indiane të Kashmirit.
Autoritetet gjithashtu kanë dhënë urdhër për mbylljen e institucioneve arsimore në Jammu, ku zyrtarët e motit thanë se të martën pati 368 milimetra shi.
Në pamje televizive shiheshin automjete duke rënë në një vrimë të madhe, pasi një urë ishte shembur mbi lumin Tawi. Janë dëmtuar edhe disa autostrada që e lidhin Jammu-n me pjesën tjetër të Indisë.