Nagavci arsyeton gjuhën e Bashës: Të vërtetën e ka thënë pa e zbukuruar - Gazeta Express
string(70) "nagavci-arsyeton-gjuhen-e-bashes-te-verteten-e-ka-thene-pa-e-zbukuruar"

Lajme

Gazeta Express

27/08/2025 7:05

Nagavci arsyeton gjuhën e Bashës: Të vërtetën e ka thënë pa e zbukuruar

Lajme

Gazeta Express

27/08/2025 7:05

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci e ka arsyetuar gjuhën e kryetarit të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ndër vite. “Langarec” ishte një prej termave më të përdorur të Bashës në rrjete sociale, teksa ofendime ka përcjellë edhe për gazetarët e ndërkombëtarët. Në një rast, Basha pati përdorur shprehje +18 në rrjete sociale.

E, Nagavci ka thënë se deklaratat që ai ka bërë në raport me deputetët e partive opozitare “kanë qenë zgjedhja e tij për të bërë debatin politik”, ndërsa kur për disa herë është pyetur për ofendimin ndaj ndërkombëtarëve, ajo është mbështetur te vota e qytetarit.  

“Përkundër diskutimeve dhe mënyrës se si kryetari Basha në dy legjislaturat e ka pasur paraqitjen e tij, qytetarët e kanë dhënë besimin që ai të jetë edhe një herë. Sot Basha pat një udhëheqje shumë të mirë të seancës”, ka theksuar ajo në “Interaktiv”.

Sipas Nagavcit, kryetari i ri i Kuvendit e ka vendosur që “të vërtetën ta thotë pa e zbukuruar”.

“Ai ka vendosur që të vërtetën ta thotë pa e zbukuruar dhe ta thotë si e ka menduar. Ajo që është më e rëndësishme, përtej deklaratave, nëse PDK-ja flet për kryetarin e Kuvendit është mirë të mendojë pak për përfaqësimet e saj që i ka pasur ndër vite”, u shpreh ajo.

Ministrja në detyrë ka akuzuar se akterëve politikë të partisë së saj po u bëhet dhunë verbale, e madje se edhe ndaj gjuhës së Bashës është folur “në mënyrë cinike”.

“Është bërë shumë tepër që të ushtrohet dhunë verbale dhe në forma të tjera ndaj personave të caktuar politik pa asnjë argument. Shumë prej nesh, përfshirë mua, jemi sulmuar pa të drejtë. Nuk ka kritika për vendimet, veprimet e tjera si këto. Madje edhe për gjuhën e z. Basha është folur shumë herë në mënyrë cinike, nganjëherë duke e nxjerrë jashtë kontekstit”, ka deklaruar Nagavci.

Kryekuvendari Dimal Basha ka pasur reagim të ashpër ndaj ndërkombëtarëve në të kaluarën duke u thënë se “po na shesin përralla”. Për gazetarët pati thënë se “Qeveria ua ka ndaluar tagjinë”, e RTK-në e pati krahasuar me televizionin shtetëror serb RTS. Pati kritikuar Prokurorinë, e pas fitores së VV-së më 9 shkurt pati përdorur shprehje +18. /Koha