Edicionit të ri të Ligës së Kampionëve, sonte iu bashkuan edhe tri klube tjera, mirëpo dy prej tyre kanë një histori shumë të veçantë.
Pos Bodo/Glimtit, në fazën e Ligës së Kampionëve janë kualifikuar edhe Kairat Almaty dhe Pafos – me këto dy të fundit që i futen kësaj gare për herë të parë në histori.
Kairat Almaty siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për sezonin 2025/26 pasi e mposhti Celticun në play-off.
Dy ndeshjet përfunduan pa gola, teksa vetëm në penallti, skuadra nga Kazakistani e siguroi këtë sukses.
Në anën tjetër, Pafos, klub i themeluar vetëm 11 vite më parë, arriti në Ligën e Kampionëve pasi në play-off e eliminoi skuadrën serbe, Ylli i Kuq.
Skuadra qipriote mori një fitore të madhe në Serbi javën e kaluar prej 2-1, ndërsa me barazimin e sontëm arriti të shkruajë historinë e saj.
Ditën e nesërme do të luhen edhe katër ndeshje të tjera.
Qarabagu e pret Ferencvarosin, Benfica i bënë konak Fenerbahçes, Rangers udhëton te Club Brugge, ndërsa Copenhagen do të ketë punë me Baselin në Danimarkë.
Në këto kualifikime morën pjesë edhe kampionia e Kosovës, Drita, ajo e Shqipërisë, Egnatia dhe Shkëndija nga Maqedonia e Veriut.
Drita u eliminua në fazën e dytë kualifikuese nga Copenhagen. Shkëndija në anën tjetër eliminimin e gjeti në rrethin e tretë kualifikues nga Qarabagu.
Egnatia u eliminua në rrethin e parë nga Breidabliku i Islandës.
Fituesi në fuqi i Ligës së Kampionëve është PSG-ja, e cila e mposhti Interin në finale me shifrat prej 5-0./GazetaExpress/