Real Madrid mund t’i thotë lamtumirë David Alabës në ditët e fundit të merkatos verore, një lajm surprizues pasi largimi i tij nuk pritej në këtë moment.
Mbrojtësi austriak nuk bën pjesë në planet e Xabi Alonsos, ndërsa një klub nga Arabia Saudite ka shfaqur interes të fortë për shërbimet e tij, gjë që do t’i hapte rrugë një ndryshimi destinacioni për lojtarin.
Fillimi i sezonit ka qenë premtues për “Los Blancos”, me dy fitore në dy ndeshjet e LaLigës, por situata e Alabës është krejt ndryshe. Austriaku nuk ka luajtur asnjë minutë që kur Alonso mori drejtimin, duke konfirmuar se nuk është pjesë e rotacionit kryesor mbrojtës.
Trajneri spanjoll i beson plotësisht Antonio Rüdiger, Éder Militão dhe të riut Dean Huijsen, ndërsa Raúl Asencio, pavarësisht paraqitjeve modeste në Kupën e Botës për Klube, vazhdon të marrë minuta.
Mungesa e vazhdimësisë së Alabës lidhet kryesisht me historikun e tij delikat mjekësor. Sezonin e kaluar, nën drejtimin e Carlo Ancelottit, ai luajti vetëm 599 minuta në 14 ndeshje, pas një dëmtimi serioz të ligamentit të kryqëzuar.
Kontrata e Alabës përfundon në vitin 2026, por në Madrid e dinë se vlera e tij në treg ka rënë. Bordi beson se shitja tani do të shmangte largimin me parametra zero dhe do të lironte një pagë të lartë. “Nëse vjen një ofertë e mirë, do ta analizojmë,” thonë burime pranë klubit.
Interesi nga një ekip saudit e ndryshon skenarin. Liga arabe po vazhdon të investojë në futbollistë të njohur evropianë dhe e sheh Alabën si një përforcim me profil të lartë. Aftësia e tij për të luajtur si qendërmbrojtës ose mbrojtës krahu e bën një aset tërheqës.
Gjithashtu, lojtari do të ishte i hapur të marrë parasysh ofertën nëse klubi ia kërkon. Largimi i tij do të lehtësonte barrën financiare te Real Madridi, i cili synon të balancojë buxhetin pas një investimi të rëndësishëm te talentet e reja.
Që kur erdhi në vitin 2021 si lojtar i lirë nga Bayern Munich, David Alaba ka luajtur 116 ndeshje, duke fituar trofe si LaLiga, Champions League dhe Superkupën e UEFA-s. Lidershipi dhe eksperienca e tij ishin kyçe në mbrojtje, ndonëse dëmtimet i kufizuan vazhdimësinë.
Sa herë ka qenë i disponueshëm, Alaba ka treguar nivel të lartë, por aktualisht nuk ka besim në gjendjen e tij fizike dhe për shkak të situatës kontraktuale, largimi nga “Santiago Bernabéu” duket i pashmangshëm./GazetaExpress/