Ishin nëntë, mbeten vetëm tri – Rrugëtimi evropian i klubeve shqiptare këtë verë - Gazeta Express
string(77) "ishin-nente-mbeten-vetem-tri-rrugetimi-evropian-i-klubeve-shqiptare-kete-vere"

Futboll

Blerian Dushica

26/08/2025 20:14

Ishin nëntë, mbeten vetëm tri – Rrugëtimi evropian i klubeve shqiptare këtë verë

Futboll

Blerian Dushica

26/08/2025 20:14

Pos të nxehtit të verës dhe plazhës, futbolldashësit gjatë verës mezi presin t’i shijojnë edhe ndeshjet evropiane të klubeve shqiptare.

Gjatë kësaj vere, ishin nëntë klube shqiptare nga të gjitha trevat shqipfolëse që morën pjesë në garat evropiane, teksa tashmë kanë mbetur vetëm tri sosh, shkruan “Gazeta Express”.

Nëntë klubet shqiptare konkurruan në tri garat: Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës, me vetëm Shkëndijën dhe Dritën që kanë mbetur më Evropë. Madje, Shkëndija e ka të siguruar të paktën Ligën e Konferencës, por që është në rrugë të mirë për të siguruar fazën e ligës së Ligës së Evropës.

Kampionia e Maqedonisë së Veriut e nisi rrugëtimin evropian ndaj TNS në Uells në kuadër të fazës së parë kualifikuese për Ligën e Kampionëve, ku barazoi pa gola. Në ndeshjen e kthimit në Shkup, tetovarët fituan pas vazhdimeve me shifrat prej 2-1.

Kështu, Shkëndija kaloi në fazën e dytë, ku e mposhti FCSB-në nga Rumania me shifrat prej 3-1 pas dy ndeshjeve.

Eliminimin nga Liga e Kampionëve, klubi shqiptar nga Maqedonia e Veriut e gjeti vetëm nga Qarabagu. Pasi humbi 1-0 në Shkup, Shkëndija u mposht thellë si mysafire me rezultat 5-1.

Kështu, Shkëndija ra në play-offin e Ligës së Evropës, ku shorti e vuri përballë kampionit të Bullgarisë, Ludogoretsit.

Ndeshjen e parë, të bësuarit e Jeton Beqirit e fituan 2-1. Ndeshja e kthimit luhet këtë të enjtë në Razgrad. Në rast se eliminohet nga kjo fazë, Shkëndija do të jetë pjesë e fazës së ligës së Ligës së Konferencës.

Në anën tjetër, kampionia e Kosovës, Drita e nisi aventurën evropiane kundër Differdange të Luksemburgut. Pas një fitore të zbehtë në Prishtinë prej 1-0, Drita fitoi 3-2 në tokën mysafire për të shkruar historinë, duke u bërë klubi i parë nga Kosova që e kalon fazën e parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve.

Megjithatë, si gjithmonë, Dritës i bie të ketë punë me “peshqit e mëdhenj”. Shorti bëri që katër herë kampionia e Kosovës të ketë punë me Copenhagen. Paraqitja heroike deri në minutën e 70-të u prish, kur Raddy Ovouka i shkaktoi dy penallti, të cilat u shënuan nga Copenhagen. Në Prishtinë, Drita luajti për më shumë se një orë me një lojtar më pak, pas ndëshkimit me të kuq të Liridon Balajt, dhe kështu u mposht 1-0.

Në Ligën e Europës, Drita luajti në fazën e tretë, ku u përballë me FCSB-në. Gjilanasit kishin epërsinë prej 2-0 deri në 25 minutat e fundit, por që e lëshuan nga duart, për t’u mposhtur 3-2 në Rumani. Misioni “remuntada” në Prishtinë dështoi, pasi Drita u mposht 3-1.

Mirëpo, këtu nuk përfundoi Evropa për Dritën, pasi kampioni në fuqi i Kosovës ra në play-offin e Ligës së Konferencës – përsëri punë me Differdange. Në Prishtinë, të enjten e kaluar, Drita fitoi 2-1, për të shkuar në Luksemburg me epërsi minimale dhe shpresë për të shkruar historinë. Ndeshja e kthimit luhet të enjten.

Nga Kosova, rrugëtimin evropian nuk e shijoi shumë Malisheva.

Ajo u mposht në Prishtinë nga Vikingur Reyjkjavik 1-0, teksa në ndeshjen e dytë u turpërua me shifrat prej 8-0. Kjo ndeshje u zhvillua në kuadër të fazës së parë kualifikuese për Ligën e Konferencës.

Fituesja e Kupës së Kosovës, Prishtina e nisi në fazën e parë të Ligës së Evropës, por u mposht 5-2 nga dy ndeshje prej Sheriff Tiraspolit.

Në Ligën e Konferencës, Prishtina u ‘befasua’ nga Larne, duke u mposhtur me penallti.

Klubi me historinë më të lavdishme në garat evropiane nga Kosova, Ballkani po ashtu u turpërua nga Shamrock Rovers në fazën e tretë kualifikuese të Ligës së Konferencës, duke pësuar disfatë prej 4-0 në ndeshjen e dytë, pas fitores 1-0 në Prishtinë.

Paraprakisht, Ballkani e kishte eliminuar Florianan e Maltës në fazën e dytë kualifikuese.

Nga Shqipëria morën pjesë katër ekipe po ashtu.

Kampionia e Shqipërisë, Egnatia e nisi në Ligën e Kampionëve, në rrethin e parë, por u mposht nga Breidabliki, me shifrat e përgjithshme prej 5-1.

Në Ligën e Konferencës e kaloi Dinamo Minskin në rrethin e dytë, por në të tretin u mposht nga Olimpija pas vazhdimeve në Rrogozhinë.

Partizani e kreu më herët punën, që në rrethin e parë, pasi u eliminua nga Kalju.

Ndërkohë, suksesin më të madh e arriti Ilir Daja me Dinamo Cityn.

Fillimisht, në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, Daja me Dinamon e mposhtën Atletic Escaldes.

Në rrethin e tretë, Dinamo pati përballë gjigantin kroat, Hajduk Splitin, të cilin e mposhti pas vazhdimeve në “Air Albania”, anipse ishte mposhtur 2-1 në ndeshjen e parë.

Mirëpo, Dinamo u ‘stopua’ nga Jagiellonia e Polonisë. Si mysafir, Dinamo u mposht 3-0 në Poloni, me ndeshjen e kthimit që luhet këtë të enjte në Shqipëri./GazetaExpress/