Një nga klubet më të mëdha në Finlandë, HJK Helsinki e ka zyrtarizuar afrimin e lojtarit kosovar, Ardit Tahirit.
Sulmuesi do t’i bashkohet klubin finlandez në formë huazimi njëvjeçar nga Llapi, me mundësi blerje verën e ardhshme.
HJK Helsinki e ka prezantuar Ardit Tahirin me një video kreative – që përfshinte një skenë të famshme nga filmi “Pulp Fiction”.
Ndër të tjerash, Ardit Tahiri po ashtu i tha edhe fjalët e para për transferimin e tij në Finlandë.
“Përshëndetje, unë jam Ardit Tahiri. Mezi pres të shihemi në fushën e lojës”, tha ai shkurtimisht në videon e njëjtë.
Teksa, në sajtin zyrtar të klubit, 22-vjeçari tha: “Jam vërtet i lumtur për transferimin te HJK. Ky është klubi më i madh në Finlandë, dhe shpresoj që të mund t’i ndihmoj ekipit të fitojë kampionatin. Do të jap më të mirën time për këtë”.
22-vjeçari Tahiri shënoi një numër mbresëlënës prej 16 golash në 33 paraqitje në Superligën e Kosovës sezonin e kaluar. Njëri prej sulmuesve më premtues të vendit të tij, Tahiri bëri hapin e parë të rëndësishëm në vendlindjen e tij si adoleshent në sezonin 2020–2021, kur shënoi nëntë gola në sezonin e tij debutues në elitën e futbollit kosovar për Besa Pejë.
Sezonin pasardhës u transferua te Drita, ku përsëriti shifrën e nëntë golave në kampionat. Në vitin 2024 qëndroi për gjashtë muaj te klubi shqiptar Dinamo City, para se të kthehej në Kosovë dhe të bashkohej me Llapi./GazetaExpress/