Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se ka mirëpritur zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se kompromisi politik është në interes të vendit.
Ai iu ka bërë thirrje partive që ta përfundojnë konstituimin e Kuvendit dhe të formojnë një qeveri të re sa më shpejt.
“Zgjedhja e një Kryetari të Kuvendit është një progres i mirëpritur dhe tregon se kompromisi politik në interes të vendit është i mundur nëse ekziston vullneti. I bëj thirrje partive të Kosovës që të ndërmarrin hapat e mëtejshëm shpejt për të përfunduar formimin e Kuvendit dhe të një qeverie të re”.
Kuvendi mbeti i pakonstituuar për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e ka ndërprerë seancën e Kuvendit në mungesë konsensusi për emrin e nënkryetarit serb pasi aplikoi formatin e zgjedhjes me short ku edhe me këtë procedurë dështoi zgjedhja e kandidatëve që iu ra shorti./Express/