Dosja e Prokurorisë ndaj Milkoviq: Me të tjerë sulmoi ushtarët e KFOR-it me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë të zjarrit - Gazeta Express
string(146) "dosja-e-prokurorise-ndaj-milkoviq-me-te-tjere-sulmoi-ushtaret-e-kfor-it-me-mjete-te-forta-mjete-shperthyese-te-improvizuara-si-dhe-arme-te-zjarrit"

Lajme

Gazeta Express

26/08/2025 16:23

Dosja e Prokurorisë ndaj Milkoviq: Me të tjerë sulmoi ushtarët e KFOR-it me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë të zjarrit

Lajme

Gazeta Express

26/08/2025 16:23

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj Lubisha Milkoviq, i dyshuar për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan më 2023.

Ndaj Milkoviq sot është mbajtur seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas kërkesës së Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Milkoviq dyshohet se më 29 maj 2023, në intervalin kohor duke filluar nga ora 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, në koordinim me shumë tẽ dyshuar të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, në atë mënyrë që përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit.

Aty thuhet se edhe përkundër urdhrave të ushtarëve të misionit paqeruajtës të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës, të pandehurit kishin filluar që të ushtroinë dhunë të pakontrolluar me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe me armë zjarri, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, tre nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovës, si dhe në veturat e gazetarëve, të cilët kanë mbuluar ngjarjet e asaj dite, të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik në masë të madhe.

Me këtë, dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Bashkimi për veprimtari kundërushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, nga neni 127, paragrafi 2 lidhur me nenin 114, paragrafi 2 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

Në pikën dy të kërkesës së Prokurorisë, thuhet se me datë dhe kohë të njëjtë si në pikën 1 të kësaj kërkese, i pandehurit Milkoviq në kordinim me shumë të dyshuar të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, nuk u janë bindur urdhrave të ushtarëve të misionit paqeruajtës të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës, pas të cilave kanë përdorë dhunë të pakontrolluar ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe me armë zjarri, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, tre nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, nga të cilat veprime kanë rrezikuar seriozisht jetën dhe trupin e këtyre trupave, të cilët sipas ligjit penal vendor si dhe instrumenteve ndërkombëtare gëzojnë mbrojtje të posaçme dhe konsiderohen “persona nën mbrojtje ndërkombëtare” përkatësisht “persona të mbrojtur ndërkombëtarisht”.

Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombetare”, nga neni 167, paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Në pikën tre të kërkesës së Prokurorisë, thuhet se Lubisha Milkoviq në koordinim me shumë të dyshuar të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia i kanë sulmuar ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorë mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë të zjarrit, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, tre nga ta nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë në detyrë zyrtare për të garantuar rendin dhe qetësinë publike për të gjithë qytetarët në atë pjesë, nga të cilat veprime kanë rrezikuar seriozisht jetën dhe trupin e këtyre personave zyrtarë.

Për këto veprime, i pandehuri dyshohet se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, nga neni 402, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Ndërsa në pikën e fundit të kësaj kërkese, sipas Prokurorisë, Milkoviq dyshohet se në koordinim me shumë të dyshuar të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin përkatësisht turmën e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, përmes përdorimit të dhunës duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovës, si dhe në veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite, të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik në masë të madhe, duke shkaktuar rrezik në shkallë të gjerë për jetën dhe trupin e shumë njerëzve dhe pasurisë.

Për këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” nga neni 404, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.