FC Prishtina ka përfunduar në disiplinor.
Në fakt, Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës ka nisur procedurë disiplinore ndaj klubit më të madh kosovar për ndeshjen që Bardhekaltrit e zhvilluan të dielën mbrëma në kryeqytet.
Në arsyetimin e këtij Komisioni thuhet se në fillim të lojës, më saktësisht në minutën e dytë të ndeshjes së zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, tifozët vendës “Plisat” kanë hedhur mjete piroteknike pas portës dhe në fushën e lojës, shkruan “Gazeta Express”.
“Hedhja e mjeteve piroteknike është përsëritur gjithashtu në minutat e 9-të dhe të 36-të të ndeshjes”, shkruan tutje në arsyetim.
Sa për kujtim, Prishtina e mposhti Llapin me rezultat 3:0, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e dytë të Superligës së futbollit. /Gazeta Express