Në prag të mbledhjes së Kuvendit të ri dhe miratimit të qeverisë “Rama 4”, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se për opozitën ky Kuvend është jo legjitim pasi 11 maji ishte farsë elektorale.
Gjatë një konference me gazetarët, Berisha deklaroi se emrat e përveçëm të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama nuk kanë ndonjë rëndësi, pasi për opozitën Rama nuk ka mandat për të qeverisur vendin.
“A ka legjitimitet Edi Rama të krijojë qeveri me farsë elektorale, unë të them kurrë. Kurrë nuk ka legjitimitet, mbasi pseudomazhoranca e tij përfaqëson mbi të gjitha interesat e Edi Ramës, karteleve të drogës, partisë-shtet në të cilën nuk ka zgjedhje normale. Pra këtu nuk është çështja e personave, këtu është çështja e themelit. Këto zgjedhje ishin një farsë e vërtetë elektorale”, tha Berisha.
Berisha sqaroi se nuk do të pranojë të drejtojë seancën e parë të Kuvendit, pasi nuk e njeh legjitimitetin e këtij Parlamenti.
“Një parlament jo legjitim, nuk mund ta hap kurrë, kurrë. Nuk mund t’i bëj vendit tim unë një antishërbim të tillë. Harroje. Po të ishte legjitim, me kënaqësi do ta bëja, do ta kisha pasur kënaqësi, por ky është një parlament jo legjitim. Nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë, sipas të gjitha dokumenteve kombëtare dhe ndërkombëtare”, tha ai.
Sipas rregullores seanca e parë drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë. Pas Sali Berishës, deputeti më i vjetër është Tritan Shehu, nëse edhe ai refuzon ta bëjë këtë, atëherë drejtimin e merr socialisti Vasil Llajo.