Juria e edicionit të 17-të të PriFest - Gazeta Express
string(37) "juria-e-edicionit-te-17-te-te-prifest"

Arte

Gazeta Express

26/08/2025 16:42

Juria e edicionit të 17-të të PriFest

Arte

Gazeta Express

26/08/2025 16:42

Kryetari i jurisë kryesore të edicionit të sivjetshëm të PriFest është Mike Downey, ndërsa anëtarët tjerë të jurisë janë: John Durie, Antionio Saura, Jane Spencer dhe Ingvar Sigurdsson.

Mike Downey (kryetar i jurisë)- është autor, kineast dhe aktivist. Ka marrë pjesë si producent apo autor në mbi 100 filma artistikë. Mike ka botuar mbi një gamë të gjerë temash dhe ka krijuar një arkiv të pasur me shkrime të publikuara në revista nga Vogue deri tek Variety, nga Screen tek Stills e Cineaste, duke qenë bashkëthemelues i grupit të botimeve mediatike Moving Pictures në vitet ’90.

Si kineast, ai ka bashkëpunuar me shkrimtarë si James Ellroy, Günter Grass, Colm Tóibín, Lee Hall, David Grossman dhe Shane Smith (themelues i Vice), si dhe me një gamë regjisorësh eklektikë si Agnieszka Holland, Volker Schlöndorff, Peter Greenaway, Oliver Hirschbiegel dhe Mohsen Makhmalbaf.

Si Kryetar i Akademisë Evropiane të Filmit, ai është bashkëthemelues i Koalicionit Ndërkombëtar për Kineastët në Rrezik dhe për një dekadë ka qenë anëtar bordi i White Ribbon Alliance. Ka mbajtur postin e Profesorit Vizitor Thomas Ewing në Universitetin e Ohajos dhe në vitin 2021 u bë President Nderi i Çmimit LUX Film, të dhënë nga Parlamenti Evropian. Po atë vit, ai u nderua me titullin O.B.E. nga Mbretëresha Britanike për kontributin e tij në kinemanë britanike. Në vitin 2022, Universiteti i Warwick-ut i dha Mike Downey-t gradën Doktor i Letërsisë, honoris causa (D.Litt.), për kontributin e tij në kinemanë botërore.

Romani i tij më i fundit “ISTRIA GOLD” është përkthyer në 20 gjuhë dhe është shpërndarë në 60 vende. Së shpejti pritet publikimi edhe në gjuhën shqipe. Vepra e ardhshme e tij, “ISTRIA BLACK”, do të botohet në Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë dhe Indi në tetor.

John Durie (anëtar i jurisë) është CEO i Strategic Film Marketing, me seli në Londër dhe Kanë. Me mbi 30 vite përvojë, ai ka punuar në fushën e marketingut, shitjes ndërkombëtare dhe distribuimit të më shumë se 800 filmave e dokumentarëve, duke bashkëpunuar me regjisorë të njohur si Joel dhe Ethan Coen, Pedro Almodóvar, David Lynch dhe Quentin Tarantino, si edhe me shumë regjisorë të rinj evropianë.

Që nga themelimi i Strategic Film Marketing në vitin 1993, ai ka qenë këshilltar afatgjatë për institute kombëtare filmi në mbarë Evropën, duke ofruar ekspertizë në pozicionimin e filmit, targetimin e audiencës dhe strategjitë e marketingut, si dhe në prodhimin e trailerëve dhe materialeve vizuale promocionale. Si pionier i trajnimit për marketingun e filmit në Evropë, Durie ka udhëhequr për 15 vite Strategic Film Marketing Workshops të programit Creative Europe, dhe ka mbajtur masterklasa në mbarë botën. Ai është bashkë-autor i librit ‘Marketing and Selling Your Film Around the World’ dhe është diplomuar me titullin MSc nga Newhouse School of Public Communications, Syracuse University.

Antonio Saura (anëtar i jurisë) është producent filmi nga Spanja, themelues i Zebra Producciones dhe bashkëthemelues i kompanisë së shitjes Latido Films. Ai ka në kredencialet e tij filma të vlerësuar me çmime si En la ciudad sin límites (Antonio Hernández), Rencor (Miguel Albaladejo) dhe Fados (Carlos Saura), por edhe hite komerciale si Dos Tipos Duros dhe Di que sí, si dhe projekte eksperimentale si Síndrome.

Në vitet e fundit, Zebra është zgjeruar edhe në televizion duke prodhuar qindra orë fiksion e argëtim. Revista Variety e ka quajtur “Producer to Watch”, ndërsa në vitin 2003 është përzgjedhur si “European Producer on the Move”.

Më herët ka udhëhequr zhvillimin në Lola Films dhe Iberoamericana Films, ndërsa në fushën e trajnimit për film ka qenë figurë kyçe: bashkëthemelues dhe drejtor për gjashtë vite i Media Business School, si dhe krijues i Mediterranea Development Agency (MEDEA). Sot, Saura vazhdon të ligjërojë dhe të mentorojë në shkolla filmi, universitete dhe programe profesionale anembanë Evropës.

Një profesionist i rrallë që i shton jurisë së PriFest një përvojë dhe vizion të jashtëzakonshëm.

Jane Spencer (anëtare e jurisë) është skenariste dhe regjisore e vlerësuar me çmime, e njohur për portretizimet e saj të pasura dhe të detajuara të personazheve, të cilën revista Filmmaker Magazine e ka cilësuar si autore vizionare.

Në vitin 2023, ajo u nderua me Producers Without Borders Award në Festivalin e Filmit në Venecia për “Kinematografi Autoriale dhe Poetike”.

Filmi i saj i parë artistik, Little Noises, me Crispin Glover dhe Tatum O’Neal, pati premierën në Sundance dhe u nominua për Çmimin e Jurisë së Madhe.

Filmi i saj më i ri, alegoria distopike sci-fi South of Hope Street me Judd Nelson, William Baldwin dhe Michael Madsen, po shpërndahet përmes Paramount+ dhe ka fituar disa çmime në festivale ndërkombëtare.

Filmi tjetër i saj, The Ninth Cloud, është shfaqur në festivale të njohura si Raindance, Shanghai, La Femme dhe Glasgow.

Jane është diplomuar në Teatër në University of Texas, ka studiuar regji filmi në NYU dhe është trajnuar në The Actor’s Studio nën udhëheqjen e legjendave Elia Kazan dhe Arthur Penn. Jeton në Zvicër, ku drejton kompaninë e saj Ward9 Productions, dhe ku zhvillon projekte të reja filmike.

Ingvar Sigurdsson (anëtar i jurisë) është një nga aktorët më të vlerësuar të Islandës, me një karrierë mbi tre dekada në film, televizion dhe teatër. Kreditet e tij filmike përfshijnë Godland, The Northman, A White, White Day, The Shrouds, Lamb, Of Horses and Men dhe Sebastian, si dhe filmat ndërkombëtarë si Justice League, Fantastic Beasts, Everest, Beowulf and Grendel, K-19: The Widowmaker dhe Rebel Moon pjesët 1 dhe 2. Në televizion, ai është paraqitur në serialet Trapped, Succession, Katla, Blackport, Balls, Killing Eve dhe King and Conqueror.

Çmimet e Sigurdsson përfshijnë Çmimin danez Bodil 2023 për Godland, Aktorin më të mirë në Java e Kritikës në Kanë për A White, White Day, dhe Aktorin më të mirë në Clermont-Ferrand për O (Hringur). Ai është nominuar tre herë për Çmimet e Akademisë Evropiane të Filmit, duke fituar në vitin 2000 për Angels of the Universe, dhe është përzgjedhur në Shooting Stars në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin.

PriFest mbahet nga 9-14 shtator në Kino Armata në Prishtinë.