Posedonte armë zjarri pistoletë dhe shiste lëndë narkotike në doza në zonën e plazhit të Velipojës teksa ishte me masë sigurie “arrest në shtëpi”, kapet në flagrancë dhe vihet në vihet në pranga 22-vjeçari i dyshuar.
Policia e Shkodrës bëri me dije se ka arrestuar sot Flavio Gropaj, banues në fshatin Pulaj, ndërsa sekuestroi si prova materiale pistoleta me municion luftarak, lëndë narkotike të ndarë në doza dhe automjetin me të cilin qarkullonte.
“Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet e siguruara se një shtetas që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, dilte nga banesa dhe shiste lëndë narkotike në doza, kanë organizuar punën për kapjen e tij në flagrancë. Ata e kanë konstatuar shtetasin F. G., duke qarkulluar me automjet, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Shkodrës, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, bëri me dije policia.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij, u gjetën një armë zjarri pistoletë me municion luftarak dhe doza të lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.
Akuzat që rëndojnë ndaj 22 vjeçarit janë “largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.