Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat, sot më 26 gusht, komentoi projektligjin e qeverisë për administratën duke e quajtur “një paçavure të vërtetë”.
“Në rrafshin e teknikës juridike përfaqëson një mjerim total, një zhgarravinë të vërtetë”, tha Berisha.
Sipas Berishës, administrata aktuale funksionon mbi bazën e ligjit 90 të vitit 2012, i cili si çdo ligj tjetër mund të amendohet, abrogohet dhe zëvendësohet.Por ai akuzon qeverinë se i ka bërë amendimet duke shkelmuar parimet e funksionimit të administratës shtetërore dhe ato kushtetuese të ndarjes së pushteteve.
“Kjo përbën një atentat të ri ndaj asaj ndarje pushteti që ka mbetur në letër dhe përpjekje demoniake e Edi Ramës për të futur në duart e tij çdo pushtet që ka mbetur me sadopak autonomi”, tha Berisha.