Një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje është goditur nga Policia e Tiranës, si rezultat i operacionit të koduar “Armed”, zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4.
Në pranga ka rënë shtetasi Besmir Bajraktari 38 vjeç, banues në Burrel, i cili ishte i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale. Ai akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Pas informacioneve të siguruara se 38-vjeçari lëvizte me armë zjarri në automjetin e tij, shërbimet e Policisë organizuan ndërhyrjen në rrugën e Arbërit. Gjatë kontrollit të automjetit tip “BMW”, u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri automatike dhe municion luftarak, të cilët u morën në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.