Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kanë kërkuar një konsultë zyrtarisht te kryesuesi i seancës, Avni Dehari, në mes të grupeve parlamentare para se të nisë seancën e sotme.
“Edhe sot sikurse pardje, kërkesa jonë është që të takohemi me grupet parlamentare. S’kemi nevojë për konsultë mes nesh sepse qëndrimi është i qartë”.
Krasniqi tha se kjo konsultë është për t’u siguruar që Lëvizja Vetëvendosje “vërtet është e sigurt që s’dëshiron ta japë një kandidat më të denjë, më të përgatitur dhe ndoshta së paku më të duhur se kandidatin që e propozuan për të qenë kryetar i Kuvendit”.
Krasniqi tha se mënyra se si e kanë propozuar Dimal Bashën për kryeparlamentar në seancën e kaluar “në mënyrë të befasishme, tendecioze, papritmas nuk ishte mënyra për ta zgjedhur vërtet, ishte më shumë një taktizim për të treguar që dëshirojnë ta testojnë pozicionin tonë”.
Por, Krasniqi tha se i rrinë pas qëndrimit të tyre për të votuar një kandidat që s’ka qenë pjesë e qeverisë nëse vërtet Vetëvendosje ta degradojë pozitën e kryeparlamentarit me një kandidat si Basha apo të një profili të tillë.
“Megjithatë, e rishpreh, ne i qëndrojmë besnikë qëndrimit tonë që votojmë një kandidat që nuk ka qenë pjesë e ekzekutivit. Por, kërkesa për konsultë si atë ditë si sot është për t’iu thënë Lëvizjes Vetëvendosje që a jeni të sigurt që vërtet dëshironi ta degradoni nivelin e përfaqësimit të Kuvendit të Kosovës, duke vendosur një kandidat që për mendimin tonë as nuk është i duhuri as nuk plotëson kriteret bazike për të qenë kryetar Kuvendi që është institucioni më i lartë përfaqësues në Kosovë. Megjithatë, nëse Lëvizja Vetëvendosje e konsideron që Dimal Basha apo një i tillë është kandidati më i mirë që ata e kanë për këtë pozicion dhe që i përfaqëson qytetarët e Republikës së Kosovës ne do ta votojmë edhe pse s’besojmë që një gjë e tillë qëndron”./Express/