Thirrjet antishqiptare në Kumanovë, kryeparlamentari Gashi: Institucionet duhet t’i gjejnë fajtorët dhe t’i dënojnë  - Gazeta Express
string(111) "thirrjet-antishqiptare-ne-kumanove-kryeparlamentari-gashi-institucionet-duhet-ti-gjejne-fajtoret-dhe-ti-denojne"

Maqedoni

Gazeta Express

25/08/2025 16:03

Thirrjet antishqiptare në Kumanovë, kryeparlamentari Gashi: Institucionet duhet t’i gjejnë fajtorët dhe t’i dënojnë 

Maqedoni

Gazeta Express

25/08/2025 16:03

“Institucionet duhet t’i gjejnë fajtorët dhe të dënohen. Le ta dinë njerëzit se nuk mund të ketë thirrje të tilla, sepse siç e pamë shkaktuan shqetësime në publik”. Është ky komenti i kryeparlamentarit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi i pyetur nga Portalb.mk se si e komenton moszbardhjen e rastit të gjuhës së urrejtjes tashmë një muaj, duke e pasur parasysh faktin që ai doli me reagim menjëherë pas thirrjeve anti-shqiptare në një ndeshje sportive në Kumanovë.

Kryeparlamentari Gashi theksoi se terrenet sportive nuk duhet të jenë arenë e betejave politike. Ai e përshëndeti nisjen e procedurës së prokurorisë për zbardhjen e rastit por nuk e komentoi se pse rasti ende nuk ka epilog, por porositi se institucionet kompetente duhet të reagojnë. 

“Sipas informacioneve të mia, ndodhi për herë të parë që prokuroria të ngre procedurë për raste të këtilla. Të gjithë ne e dimë se nga vitet e 90-ta terrenet sportive janë fusha për beteja politike. Duhet të reagohet. Porosia ime është se terrenet sportive, duhet t’ua lëmë sportistëve, tifozëve e jo të përcjellim mesazhe politike”, tha Gashi.  

Kujtojmë se i pari i kuvendit, Afrim Gashi bashkë me krerë tjerë shtetëror, si: presidentja Gordana Siljanovska- Davkoka dhe kryeministri Hristijan Mickoski kishin dënuar rastin e 3 gushtit 2025 kur në ndeshjen e parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë, u dëgjuan brohoritje me tone fyese ndaj shqiptarëve si “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, si dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”.  

Këto fyerje u bënë në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski, kryetarin e Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ministrin e Brendshëm Pançe Toshkovski, zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetëror. 

Sot, kur veçmë jemi në javën e katërt që kur ka ndodhur ngjarja, nuk ka informacion rreth zbardhjes së rastit.