Gjatë periudhës së lulëzimit të prodhimit me kosto të ulët në Kinë, qyteti Houjie ishte i njohur për këpucëtarët e tij dhe jetën e zhurmshme të natës që ofronte për mijëra blerës vendas dhe të huaj që e vizitonin çdo vit.
Si shumë qytete të tjera në provincën e Guangdongu-t, edhe Houjie lulëzoi pasi Kina u bë fuqia kryesore eksportuese në botë, dhe kjo provincë jugore u shndërrua në një fushë prove për kapitalizmin dhe investimet e huaja, si shtëpia e zonave të para speciale ekonomike të vendit.
Por tani sipas banorëve shumë prej fabrikave të saj janë bosh, dhe restorantet e biznese përreth po vuajnë, ndërsa tensionet tregtare të shkaktuara nga presidenti amerikan Donald Trump po përkeqësojnë rënien strukturore të prodhimit me kosto të ulët dhe sentimentin e dobët të konsumatorëve.
Zhvendosja e prodhimit në Azinë juglindore e ka lënë të izoluar dhe të vetëm kuzhinierin Li Jilei, që u zhvendos në qytetin industrial të Houjie para më shumë se një dekade në kërkim të punës. “Biznesi është i keq… shumë fabrika janë larguar,” tha Li. “Por fëmijët tanë janë në shkollë këtu. Nuk mund të zhvendosemi.”
Kina dhe SHBA-të janë të përfshira në negociata të zgjatura për tregtinë. Ndërsa Uashingtoni ka ulur tarifat shtesë mbi mallrat kineze në 30 për qind gjatë negociatave, askush nuk dyshon për ndikimin që kanë tarifat e rritura dhe pasiguria e shtuar. Me eksportet që arritën gati 821 miliardë dollar vitin e kaluar, Guangdongu është i prekur.
“Do të jetë shumë e madhe,” tha Alicia García-Herrero, ekonomiste kryesore për rajonin Azi-Paqësor në “Natixis“. “Kompanitë në Guangdong janë në zemër të luftës tregtare.”
Ndërsa faktorë të tillë si ngadalësimi i sektorit të pronave dhe kërkesa e brendshme në rënie filluan të ndikojnë “shumë kohë para” tarifave të këtij viti kundër mallrave kineze, sulmi i fundit tregtar i Uashingtonit do të godasë perspektivat e rritjes së rajonit, tha ajo.
“Nuk është një provincë që po ecën aq mirë sa dikur,” shtoi García-Herrero. “Diçka nuk po funksionon si duhet.”
Guangdongu u rrit vetëm me 3.5 për qind vitin e kaluar, duke mos arritur objektivin për herën e tretë radhazi dhe duke mbetur shumë nën normën kombëtare prej 5 për qind.
Shenzheni, një qendër teknologjike dhe një nga qytetet më të pasura të Kinës, ishte i vetmi qytet në provincë që arriti një rritje më të lartë se mesatarja kombëtare në vitin 2024.
Rritja vjetore në kryeqytetin provincial, Guangzhou, ishte vetëm me 2.1 për qind. Foshan, qyteti fqinj i njohur për prodhimin e mobilieve dhe pajisjeve shtëpiake, u rrit me 1.3 për qind.
Ekonomia e Shantou, një qytet bregdetar që ishte një nga zonat origjinale speciale ekonomike të Kinës, u rrit vetëm me 0.02 për qind.
Kredencialet eksportuese të provincës datojnë që nga shekulli i 17-të, kur ishte një nga vendet e para në Kinë që ishte pjesërisht e hapur për tregtarët e huaj. Në vitin 1957, pas panairit të parë të Cantonit, u bë kanali përmes të cilit kryhej pjesa më e madhe e tregtisë së jashtme të Kinës.
Prodhimi i brendshëm bruto për frymë në Guangdong u rrit më shumë se 220 herë në 40 vitet nga 1978-ta deri në 2018-ën. Sot, ekonomia e saj është pak më e madhe se ajo e Koresë së Jugut.
Por edhe para rizgjedhjes së Trump-it, largimi i prodhimit me kosto të ulët drejt qendrave më të lira kishte dëmtuar vrullin e rritjes së provincës.
E nxitur nga spekulimet intensive gjatë viteve të lulëzimit, çmimet e pasurive të paluajtshme në provincë kanë qenë më të ngadalta në rimëkëmbje krahasuar me rajonet e tjera të pasura. Ajo është gjithashtu shtëpia e disa prej zhvilluesve më të mëdhenj dhe borxhlinj të Kinës, përfshirë “Evergrande“, “Kaisa“, “Vanke” dhe “Country Garden”.
Analistët thonë se rënia ka kontribuar edhe në besimin e brishtë të konsumatorëve dhe bizneseve, me tregues si shitjet me pakicë që performojnë ndjeshëm më keq se mesatarja kombëtare.
Ngadalësimi në Guangdong ka gjithashtu implikime kombëtare.
Provinça kontribuon më shumë në të ardhurat nga taksat për qeverinë qendrore sesa çdo provincë tjetër. Në vitet e fundit, një ngadalësim kombëtar ka bërë që Pekini të ridrejtojë një pjesë më të madhe të atyre të ardhurave për të stimuluar rritjen në rajonet më të varfra.
“Ekonomia në përgjithësi nuk po ecën shumë mirë, por ju duhet të paguani taksat,” tha Sam Kwok, analist në “Fitch Ratings”.
Ndërsa eksportet kanë qenë një ndihmë jetike për ekonominë kineze vitet e fundit, García-Herrero e “Natixis” tha se tensionet e fundit tregtare amerikane po shtyjnë edhe eksportuesit e teknologjisë së lartë, si prodhuesi i makinave elektrike “BYD” me bazë në Guangdong, që të shikojnë për ta zhvilluar prodhimin jashtë vendit.
Anulimi nga Trump i përjashtimeve tatimore të quajtura “de minimis” për dërgesat me vlerë të vogël do të godasë gjithashtu Guangdong-un në mënyrë disproporcionale, duke pasur parasysh që shumë furnizues të “Shein” dhe “Temu”, dy nga përdoruesit më të mëdhenj të këtij përjashtimi, janë bazuar në provincë.
Pak vende e përmbledhin më mirë premtimin e ngecur të modelit eksportues të Guangdong-ut sesa Ronggui, një nën-distrikt prodhimi në deltën e lumit Pearl.
Ronggui ishte i pari qytet që arriti një prodhim total industrial mbi 100 miliardë renminbi (valuta vendase). Por rritja e Ronggui-t, e cila mbështetet në prodhimin e kondicionerëve dhe frigoriferëve, ka ngelur në vend. Marzhet për produkte të nivelit të mesëm kanë rënë, ndërsa industritë teknologjike të larta janë zhvilluar në vende të tjera.
Rritja në Foshan-in fqinj ka rënë gjithashtu ndjeshëm. “Po arrij të siguroj jetesën time,” tha Zhou Jingjing, një shitëse ambulante që shet byrekë me vlerë 6 renminbi (0.83 dollarë) jashtë një parku industrial. Ajo shtoi se të ardhurat nga stenda e saj në mbrëmje kanë pësuar rënie pasi më pak fabrika në zonë po kërkojnë që punonjësit të punojnë orë shtesë.
Liang, një punëtor metali 35-vjeçar në një fabrikë frigoriferësh në Ronggui, tha se të ardhurat e tij mujore kanë rënë në rreth 7 mijë renminbi nga 9 mijë renminbi gjatë dy viteve të fundit pasi kërkesa për eksport gjatë periudhës së Covid-it u zbeh.
Ndërsa ishte i sigurt se fabrika do t’i siguronte të ardhura të qëndrueshme, vlera e pronës së tij ka pësuar gjithashtu rënie për shkak të ngadalësimit të tregut të pasurive të paluajtshme në të gjithë vendin.“Kam një hipotekë këtu dhe fëmijët e mi janë në shkollë,” tha ai. “Nuk guxoj të dal të gjej punë tjetër.”