Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka ankimuar në Apelin e GJKKO vendimin e Shkallës së Parë që e la në burg me argumentin se mund të ndikojë në hetime. Trupa gjykuese arsyetoi se, pas marrjes së tij si i pandehur, ekziston rreziku i prishjes së provave dhe intimidimit të dëshmitarëve.
Në rekursin e paraqitur, mbrojtja e Metës kundërshton vendimin, duke e cilësuar si të pabazuar. Sipas tyre, mbyllja e hetimeve e bën të pamundur “helmimin e provave”, ndërsa dëshmitarët kanë dhënë tashmë deklarimet e tyre.
SPAK ka mbyllur hetimet për dosjen ku Meta dhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, lidhur me lobimin e LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA. Dosja pritet të kalojë për gjykim.