Mikhail Khodorkovsky, ish-manjati i naftës që dikur ishte njeriu më i pasur në Rusi dhe kaloi dhjetë vjet në burg në Siberi për shkak të përplasjes me Vladimir Putinin, sot jeton në Londër dhe mbetet një nga opozitarët më të zëshëm të Kremlinit. Në një intervistë ai analizon gjendjen aktuale të Moskës dhe të luftës në Ukrainë.
Sipas tij, Putin ka arsye të forta për të menduar seriozisht një negociatë.
“Problemet ekonomike dhe ato të rekrutimit po shtohen. Edhe territoret e pushtuara në Ukrainë po kthehen në barrë financiare. Vetëm për rindërtimin duhen të paktën 200-300 miliardë dollarë, pa llogaritur koston e mbajtjes së miliona banorëve që kanë mbetur atje, kryesisht të moshuar dhe njerëz në nevojë”, shpjegon Khodorkovsky.
Ai paralajmëron se Putini mund të përballet me trazira sociale nëse përpiqet të konsolidojë kontrollin mbi Donbasin.
“Ka marrë mbi vete një problem shumë më të madh se Çeçenia. Ukrainasit janë mësuar të kërkojnë të drejtat e tyre, ndryshe nga rusët që i kanë humbur këto reflekse”, shton ai.
Për marrëdhënien e Kremlinit me Donald Trump, Khodorkovsky është i qartë: “Putin e kupton që Trump është presidenti më i favorshëm që mund t’i bjerë përballë. Ky është momenti më i mirë për të ruajtur atë që ka pushtuar dhe për të fituar legjitimitet ndërkombëtar. Por Putini është edhe i kujdesshëm, i frikësohet të kalojë ndonjë vijë të kuqe përballë Trumpit”.
Në lidhje me opinionin publik rus, ai thekson se vetëm 30% mbështesin realisht luftën, kryesisht të moshuar. Pjesa tjetër është e painteresuar ose kundër, por e frikësuar nga pasojat e një humbjeje. Ndërkohë, sulmet ukrainase në territorin rus, mbyllja e aeroporteve dhe mungesa e karburantit po e bëjnë luftën gjithnjë e më të dukshme në jetën e përditshme.
Sa i përket ushtrisë, Kremlini po mbush radhët me të rinj të detyruar të firmosin si “vullnetarë”.
“Është një mashtrim i rrezikshëm për qeverinë. Putini mund ta vazhdojë luftën edhe për ca kohë, por gjithnjë e më me vështirësi”, thotë Khodorkovsky.
Sipas tij, në fund Putini e ka humbur luftën për Rusinë, edhe pse vetë nuk e pranon: “Nuk arriti të ndryshojë qeverinë në Kiev, ka vetëm territore të shkatërruara. Por për veten, kjo luftë i ka siguruar edhe disa vite të tjera pushtet”.