Edhe një tentim për konstituimin e Kuvendit, kë do ta propozojë Kurti sot për kryeparlamentar? - Gazeta Express
string(43) "edhe-nje-tentim-per-konstituimin-e-kuvendit"

Lajme

Gazeta Express

24/08/2025 10:15

Edhe një tentim për konstituimin e Kuvendit, kë do ta propozojë Kurti sot për kryeparlamentar?

Lajme

Gazeta Express

24/08/2025 10:15

Deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen të dielën, më 24 gusht, në përpjekjen e radhës për të konstituuar përbërjen e re të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Ky është vazhdimi i tretë i seancës konstituive që nga publikimi i aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese më 18 gusht.

Sipas aktgjykimit, deputetët kanë 30 ditë kohë për të zgjedhur kryetarin dhe pesë nënkryetarët.

Kryeparlametari duhet të zgjidhet me votim të hapur dhe një emër mund të hidhet në votim deri në tri herë.

Që nga publikimi i aktgjykimiz, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun, Donika Gërvallën dhe Hekuran Muratin, por që të tre nuk kanë arritur të marrin 61 votat e nevojshme.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë thënë se votojnë për kandidatë të caktuar nga LVV-ja. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë argumentuar se nuk kanë votë për asnjë kandidat për kryeparlamentar pa një marrëveshje politike.

LVV-ja në seancat paraprake – para aktgjykimit të fundit të Kushtetueses – kishte insistuar në emrin e Haxhiut për kryeparlamentare. Tani kjo parti thotë se pas dështimit që Gërvalla dhe Murati të zgjidhen në drejtimin e Kuvendit, argumenti i partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë, se Haxhiu nuk është person i papërshtatshëm për këtë post, nuk qëndron. LVV-ja akuzon partitë e tjera për bllokim të krijimit të institucioneve.

Por, partitë e tjera thonë se tani LVV-ja po propozon emra që e di se nuk kanë votë për t’u zgjedhur kryeparlamentar. AAK-ja ka kërkuar të dijë emrin e kandidatit të LVV-së, para se ai të propozohet, por nuk gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Si nisi ngërçi politik?

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill. Por, ajo deri më tani nuk është përmbyllur për shkak të mospajtimeve mes partive politike lidhur me formën e votimit të kryeparlamentarit.

Pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, disa herë dështoi të zgjidhej në krye të organit ligjvënës në gjashtë votime të hapura, Dehari më 1 maj ndryshoi rendin e ditës.

Ai më pas kërkoi nga Partia Demokratike, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe që të propozonin nga një anëtar për një komision që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentarin.

Kjo u kundërshtua nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, të cilat refuzuan që të propozonin anëtar për këtë Komision.

Fillimisht, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës iu drejtua Kushtetueses për çështjen e ngërçit. Gjykata u përgjigj më 26 qershor, duke thënë se votimi duhej të bëhej sipas praktikave të deritanishme. Ajo u dha deputetëve 30 ditë afat ta përmbyllnin procesin e konstituimit, por ky afat u shpërfill.

Në ndërkohë, PDK-ja dhe LDK-ja, dorëzuan lëndë të ndara për çështjen e votimit të kryeparlamentarit.

Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme nga 27 qershori deri më 8 gusht, duke ua ndaluar deputetëve që të ndërmerrnin vendime dhe veprime për konstituimin e Kuvendit.

Më 8 gusht, Kushtetuesja njoftoi për vendimin për dy lëndët e paraqitura – aktgjykimin e plotë të të cilit e publikoi më 18 gusht – përmes së cilit tha se ndryshimi i rendit të ditës ishte shkelje, duke obliguar Kuvendit që t’i kthehet votimit të hapur.

Asnjëra nga subjektet nuk ka fituar vota të mjaftueshme për të bërë vet shumicën dhe po ashtu nuk është arritur një marrëveshje politike.

LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i fitoi 48 ulëse gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe partitë e tjera parlamentare nuk kanë pranuar ta votojnë kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, për emërimin e së cilës nevojiten të paktën 61 vota.

PDK-ja doli e dyta me 24 ulëse, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9, dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.

Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave./REL