Xhirimet e sezonit të pestë të serisë së njohur “Emily in Paris”, janë pezulluar pas vdekjes së një asistent regjisori në Venecia, vetëm pak ditë para se të përfundonin xhirimet.
Një 47-vjeçar italian u rrëzua në shesh-xhirim në një hotel në Venecia, konfirmuan zyrtarët e qytetit të premten.
Autoritetet dyshojnë se ai pësoi një atak në zemër. Aktualisht nuk dihet se sa kohë do të pezullohet prodhimi, raporton KosovaPress.
Edhe pse “Emily in Paris” zhvillohet në kryeqytetin francez, disa episode të sezonit të ri po xhirohen në Itali, përfshirë Romën dhe Venecia.
Netflix tha se sezoni i pestë do të shfaqet premierë pak para Krishtlindjeve. Sipas raportimeve të mediave italiane, asistent regjisori vdiq ndërsa një nga skenat e fundit po xhirohej në një nga hotelet më të famshme të qytetit.
Sipas raportimeve, i ndjeri ishte me origjinë nga Venecia dhe punoi në industrinë ndërkombëtare të filmit për shumë vite. Këshilli i qytetit i shprehu ngushëllimet familjes së tij. /KP/