Në planin e madh të Xabi Alonsos ekziston ende një pjesë që nuk përshtatet plotësisht. Trajneri i ri i Real Madrid ka një gamë mesfushorësh me cilësi të lartë, por i mungon një profil specifik: një organizator i pastër.
Tërheqja nga futbolli e Toni Kroos dhe largimi i Luka Modric kanë lënë një boshllëk në zemër të skuadrës. Sot, kërkimi për një “tru” që të diktojë ritmin e lojës është prioritet në “Shtëpinë e Bardhë”.
Mes emrave që kanë dalë në skenë, spikat fuqishëm njëri: Adam Wharton. Futbollisti 21-vjeçar i Crystal Palace është bërë një nga sensacionet e Premier League. Me këmbën e majtë, elegant në organizimin e lojës dhe me një vizion të privilegjuar, Wharton mishëron gjithçka që i ka munguar Realit pas largimit të maestrove të mesfushës.
I riu anglez u ble nga Palace një vit më parë nga Blackburn Rovers për 21 milionë euro. Progresi i tij ka qenë meteorit: fitoi FA Cup dhe Community Shield në sezonin e parë, tashmë është pjesë e kombëtares angleze dhe konsiderohet si një nga premtimet më të mëdha të gjeneratës së tij. Sipas AS, performancat e tij kanë tërhequr jo vetëm interesin e Real Madrid, por edhe të Manchester United, Liverpool dhe Manchester City.
Në klubin madrilen e shohin si lojtarin ideal për të kontrolluar lojën, për të thyer linja dhe për t’i dhënë skuadrës qetësi kur nevojitet. Xabi Alonso, i cili e kupton më mirë se kushdo rëndësinë e një mesfushori që mendon para se të veprojë, është i bindur se Wharton do të ishte pjesa e përkryer për të sjellë ekuilibër në një skuadër plot talent, por pa një dirigjent të vërtetë.
Pengesa kryesore, si zakonisht në këto operacione, është çmimi. Crystal Palace nuk është e gatshme ta lëshojë për më pak se 80 milionë euro, një shumë e konsiderueshme duke pasur parasysh që Real Madrid ka investuar tashmë mbi 170 milionë këtë verë për Trent Alexander-Arnold, Dean Huijsen, Álvaro Carreras dhe Franco Mastantuono. Mundësia e realizimit të këtij transferimi varet kryesisht nga një shitje e madhe, dhe të gjitha sytë janë te Rodrygo Goes, i cili ka kërkues të mëdhenj në Angli.
Nëse kjo lëvizje ndodh, atëherë pjesët mund të përputhen për t’i hapur rrugën Realit drejt Wharton. Drejtuesit e dinë se ky transferim nuk është vetëm një investim për të tashmen, por edhe për të ardhmen. Në moshën 21-vjeçare, anglezi mund të lërë gjurmë në Bernabéu dhe të bëhet trashëgimtari natyral i Kroos dhe Modric – një lojtar që kombinon rininë, talentin dhe potencialin.
Ndërkohë, klubi po e menaxhon situatën me durim. Nëse marrëveshja nuk finalizohet në këtë merkato, nuk përjashtohet mundësia që të tentohet më vonë, kur situata financiare do të jetë më e favorshme dhe kur Palace, që së fundmi përfitoi 80 milionë euro nga shitja e Eberechi Eze te Arsenal, mund të jetë më e hapur për negociata.
Në Chamartín janë të qartë: Adam Wharton është prioritet absolut. Cilësia e tij teknike, maturia dhe aftësia për të kontrolluar ritmin e lojës e bëjnë mesfushorin që çdo ekip i madh e dëshiron. Guardiola e ka lavdëruar publikisht pas një përballjeje me të, dhe në Angli tashmë e krahasojnë me Andrea Pirlo. Nëse Real Madrid dëshiron të vazhdojë të dominojë Europën vitet e ardhshme, duhet të ketë një dirigjent në “dhomën e motorit” – dhe ai mund të jetë talenti i ri i Palace./GazetaExpress/