Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka konfirmuar se aktualisht janë nën hetim 14 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të nivelit të lartë, përfshirë 3 deputetë, një ish-deputet dhe një ish-ministër. Këto të dhëna janë publikuar së fundmi në “regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve” të muajit korrik.
Në një pyetje të drejtuar SPAK-ut, lidhur me numrin e zyrtarëve të lartë nën hetim, kjo e fundit ka konfirmuar se janë 14 raste, raporton Klan. Përveç deputetëve dhe ish-deputetëve, SPAK ka konfirmuar se një ish-ministër është gjithashtu nën hetim, por nuk ka zbuluar identitetet e individëve të përfshirë.Gjithashtu, kur është pyetur për mundësinë e caktimit të masave sigurimi ndaj ndonjë ministri, SPAK ka sqaruar se “një ish-ministër është nën hetim”. Ndërkohë, në lidhje me deputetët e zgjedhur pas datës 11 maj, SPAK ka pohuar se asnjëri prej tyre nuk është regjistruar deri tani si i hetuar për vepra penale.