Kërkesat për një figurë unifikuese në krye të Kuvendit Lëvizja Vetëvendosje i përballi me tri propozime: Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla e Hekuran Murati. Secili më konfliktuoz se tjetri në sytë e partive që ishin opozitë legjislaturën e kaluar. Këta emra kanë qarkulluar në dy seancat e fundit që u mbajtën pas shpalljes së aktgjykimit nga Kushtetuesja. Njëri prej kandidatëve, Gërvalla, u bë si e hatruar që nuk mori vota nga disa deputetë të LDK’së. Njëri prej tyre i kujtoi që ka dezertuar nga LDK.
Gazeta Express
Vetëvendosje nguli këmbë me Albulena Haxhiun për të parën e Kuvendit për një kohë të gjatë seancë pas seance. Partitë tjera refuzuan t’ia japin mbështetjen asaj me arsyen se është figurë shumë polarizuese dhe shumë përçarëse dhe për të dalë nga bllokada disa parti u zotuan se do të pajtohen të votojnë pro kandidatëve nga Lëvizja Vetëvendosje që përfaqësojnë të kundërtën e Haxhiut.
Tashmë kur aktgjykimi i ri i Gjykatës Kushtetuese e nxori Vetëvendosjen nga taktika e bllokimit të Kuvendit me një emër të vetëm me rregullën e re që të mos propozohet i njëjti kandidat më shumë se tri herë, partia e Albin Kurtit rriti dozën e “figurave përçarëse” në propozimet për kryetar Kuvendi si përgjigje ndaj kërkesave të partive tjera.
Në seancën e parë pas pezullimit të punës së Kuvendit, emri i ri pas Albulena Haxhiut ishte Donika Gërvalla. Propozimi i saj u prit me qeshje nga deputetët e partive të tjera që – siç pritej – s’e mbështeten.
Gërvalla gjatë katër viteve të shkuara si kryediplomate e vendit pati përplasje të ashpra me partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës e në komisionet parlamentare. Ndërsa, gjuhë të ashpër ndaj partive të tjera përdori edhe gjatë fushatës zgjedhore.
Me një histori të ngjashme si të Gërvallës e Haxhiut ishte edhe propozimi i tretë i Vetëvendosjes.
Hekuran Murati u propozua në foltoren e Kuvendit nga vetë Gërvalla, e cila në prezantim ia dha një varg lëvdatash për punën e tij si ministër i Financave.
Shumë çështje për ekonominë dhe financat e vendit gjatë sfidave të mëdha globale e kishin përplasur edhe Muratin me deputetë të partive të cilëve iu kërkua sot ta votonin atë.
As ai s’mori 61 votat që duhen.
Partitë tjera kërkuan edhe sot nga Lëvizja Vetëvendosje që të hedhë në votim emra të pranueshëm për ta. Dhe krahas kësaj, VV-së iu kërkua që mos i befasonte prapë sikurse bëri me Donika Gërvallën, por që paraprakisht të dihej.
“Ai [kryetari i Kuvendit] ditën kur zgjidhet është kryetar i gjithë neve, i deputetëve dhe është e logjikshme një konsultë, një informatë paraprake”, tha kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, para nisjes së seancës.
Vetëvendosje u kritikua se po hyn në seancë pa një marrëveshje politike edhe nga shoqëria civile.
Eugen Cakolli nga KDI tha se këtë e sheh si insistim në bllokadë nga partia e parë dhe se propozimi i tre ministrave veçse i shërben këtij qëllimi.
“Propozimi i kandidaturave pa marrëveshje politike – madje për herë të tretë nga radhët e ekzekutivit, edhe kur dihet se nuk ka vota për to nga partitë e tjera – është veç insistim në bllokadë”.
Ai e konsideroi problematike edhe sjelljen e kryesuesit të seancës, Avni Dehari, i cili u konstatua se shkeli Kushtetutën për udhëheqjen e seancave me direktivat e partisë së tij në seancat e kaluara.
“Problematike mbetet edhe sjellja jo-konsistente dhe arbitrare e Kryesuesit të seancës. Në seancën e kaluar lejoi dy kandidatura, sot vetëm një. Për më tepër, ai po vazhdon t’i thërrasë seancat në afatin maksimal 48 orësh – edhe pse ka të drejtë dhe do të duhej t’i thirrte më shpesh, madje disa herë brenda ditës nëse është e nevojshme, derisa të votohet një kandidat/e me të paktën 61 vota. Kjo mënyrë e menaxhimit të seancës nga Avni Dehari nuk është neutrale, por është pjesë aktive e problemit”, tha Cakolli.
Nga partitë e tjera edhe sot u shpreh gatishmëri për votim të disa prej kandidatëve që i shohin të pranueshëm. Ndonjëra prej tyre ishte me specifike – s’do të vijë t’i votojë për Kryeparalmentar ministrat e Kurtit.
Kreu i PDK-së dhe ai i AAK-së thanë se do të votonin pa asnjë kusht tjetër përpos ‘kriterit moral’ që kandidati të mos ketë qenë pjesë e kabinetit Kurti.
Memli Krasniqi i PDK-së tha se “janë edhe 35 kandidatë të tjerë që i ka Lëvizja Vetëvendosje e që po të dilnin ndoshta sot do ta kishim të zgjedhur edhe kryetarin edhe kryesinë edhe konstituimin e Kuvendit”.
Ngjashëm deklaroi edhe Haradinaj, i cili tha se kanë lëvizur edhe nga qëndrimi fillestar se do të votonin pro Shqipe Selimit ose Saranda Bogujevcit për kryeparlamentare dhe se listës që do të votonin pro janë shtuar shumë kandidatë.
“Ju siguroj që ka shumë emra nga VV që i kishim votuar”.
Ndërkaq, LDK-ja vazhdon të mbesë në qëndrimin e saj se s’voton asnjë kandidat pa një marrëveshje politike paraprake.