Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se do të kërkojnë një konsultë me grupet parlamentare para se të nisë seanca konstituive për të ditur se kush do të jetë kandidat i propozuar nga Vetëvendosje dhe të mos befasohen si në seancën paraprake me emrin e Donika Gërvallës.
Ai tha se në këtë konsultë mund të diskutojnë për kandidaturat se kush mund me qenë kandidat për kryeparlamentar dhe shtoi se partia e tij ka shumë kandidatë nga Vetëvendosje që do të mund t’i votonte.
“Në këtë mënyrë të përgatisim seancën dhe të mos shkojmë ashtu pa komunikim të ndërsjellë, qoftë edhe nëse s’pajtohemi për kandidaturat. Pra, edhe nëse kandidatura jounifikuese, mirë është që të kemi informatë paraprake kush do të jetë kryetar i Kuvendit, sepse ai ditën kur zgjidhet është kryetar i gjithë neve, i deputetëve dhe është e logjikshme një konsultë, një informatë paraprake. Sikurse e dini në seancën para kësaj ka qenë një lloj befasie çka ndodhi”.
Haradinaj tha se konsulta ka qenë praktikë e përdorur, por tha se kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kishte injoruar duke mos shkuar në këto konsulta.
“Ne e kemi përdorur këtë formulë, por Kurti s’na erdh, qëndroi në sallë. Nuk mund ta detyrojmë VV-në kënd ta propozojë, por është mirë që ta diskutojmë se kush mund të jenë kandidaturat unifikuese. Ka plot deputetë të VV-së që ne do t’i kishim votuar”.
Haradinaj tha se dakordimi për një figurë unifikuese do të ishte zgjidhja për dalje nga bllokada dhe tha se Vetëvendosje mund të kërkojë mënyra për të bllokuar edhe më tej.
“Pra, në këtë frymë nëse ka interes me ecë përpara për të mos i humbur kohë Kosovës, është e dhimbshme nëse i humbim edhe 30 ditë me këto tallje. Secili me kërku mënyra me dështu këtë mundësi, ne po kërkojmë mënyra me gjet zgjidhje. S’ka pse të mos pranohet konsulta. Ju siguroj që ka shumë emra nga VV që i kishim votuar”./Express/