Të paktën 18 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në dy sulme në Amerikën Jugore. Pas tyre qëndrojnë grupe të armatosura të dala nga ish-lëvizja guerile Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), raportoi të premten agjencia Reuters.
Ish-anëtarët e FARC-ut kanë sulmuar në disa lokacione. Në qytetin e tretë më të madh kolumbian, Kali (Cali), përpara një baze ushtarake shpërtheu një autobombë. Gjashtë persona humbën jetën dhe mbi 70 të tjerë u plagosën.
Disa orë më herët, pranë qytetit Amalfi në veri të vendit, gjatë një operacioni kundër plantacioneve të kokainës, u rrëzua një helikopter i policisë. Në mbetjet e tij humbën jetën 12 policë. Kryetari i bashkisë së Kalit, Alejandro Eder, e përshkroi shpërthimin në rrugën e ngarkuar përpara bazës si një “sulm narkoterrorist”. Në rrjetet sociale janë shpërndarë video ku shihen njerëz të shtrirë në tokë, të cilët po ndihmohen nga ekipet e shpëtimit, një kamion që digjet, automjete të dëmtuara dhe dritare të thyera, shkruan bbc.
Presidenti Gustavo Petro i ka fajësuar për sulmet fraksionet e FARC-ut që refuzuan marrëveshjen e paqes të vitit 2016, e cila synonte t’i jepte fund konfliktit ku gjatë dekadave kanë humbur jetën mbi 450 mijë persona.
Menjëherë pas shpërthimit në Kali, nuk ishte e qartë se cili grup i armatosur qëndronte pas sulmit. Në qershor, një fraksion i FARC-ut i quajtur Estado Mayor Central (EMC) mori përgjegjësinë për një seri sulmesh me bomba dhe armë në Kali dhe rrethina, ku u vranë shtatë persona – pesë civilë dhe dy policë.
FARC ishte grupi më i madh gueril në vend. Në vitin 2016, presidenti i atëhershëm Juan Manuel Santos nënshkroi një marrëveshje paqeje me ta, pas së cilës shumica e anëtarëve dorëzuan armët në vitin 2017.
Nga FARC më pas u formua një parti politike që, në bazë të marrëveshjes, fitoi edhe disa vende në parlament.
Grupi rebel EMC është formuar nga ish-anëtarë të FARC-ut që nuk pranuan marrëveshjen për ndërprerjen e luftimeve. Aktivitetet e këtij grupi financohen, ndër të tjera, përmes tregtisë së kokainës. /Telegrafi