Diplomatja më e lartë e Bashkimit Evropian (BE) ka paralajmëruar kundër shtytjes së Ukrainës për t’i dhënë territore Rusisë si pjesë e një marrëveshjeje të ardhshme paqeje.
Duke folur në intervistën e saj të parë në Mbretërinë e Bashkuar që kur udhëheqësit e BE-së iu bashkuan bisedimeve të paqes të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë me Ukrainën, Kaja Kallas i tha programit Today të BBC-së se lejimi i Rusisë të mbajë territoret ukrainase ishte një “kurth në të cilin Putini dëshiron që ne të futemi”.
Rajoni i Donbasit në Ukrainën lindore është kontestuar prej kohësh nga Rusia, me agresion ushtarak që detyroi 1.5 milion ukrainas të largohen gjatë dekadës së fundit.
Ukraina ka refuzuar vazhdimisht dhënien e Donbasit Kremlinit në këmbim të paqes, megjithëse Trump theksoi nevojën për “shkëmbim territoresh”.
Kallas – e cila është vendosur në “listën e kërkuar” të Kremlinit – foli gjithashtu gjatë për garancitë “e besueshme dhe të forta” të sigurisë për Ukrainën.
Ajo pranoi se nuk kishte hapa konkret” për një forcë penguese në këtë fazë të negociatave.
“Garancia më e fortë e sigurisë është një ushtri e fortë e Ukrainës”, tha ajo, duke përshkruar rëndësinë e vendosjes së garancive që “nuk ishin vetëm në letër”.
Ajo tha se u takon shteteve anëtare të “koalicionit të të vullnetshmëve” të përcaktojnë saktësisht se çfarë mund të kontribuojnë dhe se ende nuk është e qartë se në çfarë kapaciteti do të veprojnë këto forca.
Udhëheqës nga vendet kryesore të BE-së, përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Finlandën, iu bashkuan Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për bisedime në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar, disa ditë pasi Trump priti Presidentin rus Vladimir Putin në një bazë ushtarake në Alaska.