Situata e zjarreve rëndohet në veri të vendit. Tre vatra zjarri u raportuan pasditen e sotme në zonën e Fushë-Arrëzit, qarku i Shkodrës.
Pas dy të parave në Njësinë Blerim, është shfaqur një tjetër vatër zjarri pasdite vonë në pyjet pranë fshatit Kryezi, Njësia Qada e Malit, që kërcënon edhe banorët sipas autoriteteve vendore. Më parë u ndezën zjarret në Kulumri. Bashkia Fushë-Arrëz bëri thirrje për ndërhyrje të menjëhereshme nga ajri.
Vatrat përhapen me shpejtësi për shkak të flakëve, edhe pse shumë forca janë në aksion. Ndërhyrja nga toka cilësohet tepër e vështirë dhe në kryezi e pamundur, pasi flakët kanë dalë jashtë kontrollit.
Në ndihmë të mjeteve zjarrfikëse të Fushë -Arrëzit ka shkuar dhe një automjet zjarrfikës i Pukës dhe 3 autobot.
Kreu i Pyjores, Artmir Doda, u shpreh se situata është e vështirë dhe kërkoi ndihmën e Ushtrisë dhe banorëve. Ai tha se janë 3 vatra aktive që po djegin sipërfaqe me bimësi, pyje e kryesisht pisha.
“Zjarri në Kryezi favorizohet nga era dhe rrezikon banesat, kërkojmë ndihmë për të shuar flakët dhe shpëtuar jetët. Dyshojmë se është zjarr i qëllimshëm”, tha ai.
Janë riaktivizuar sërish vatrat e zjarrit në afërsi të Kurores së Dardhës në Shkodër. Dy vatra kanë dalë jashtë kontrollit. Vatrat e zjarrit janë në afërsi të Lumit të Trunit dhe pranë Kulumrisë.
Kreu i Emergjencave të Fushë Arrëzit, tha nga terreni ku ndodhej për shuarjen e flakëve, se ndodheshin në fshatin Kryezi sepse vatra e zjarrit është e fuqishme dhe rrezikon jetët e banorëve. Ai apeloi për ndihmë nga ajri.
“Siç e shikoni, flakët janë jashtë kontrollit dhe nga toka nuk veprohet dot. Duhet ndërhyrje nga ajri, shpresojmë të vijë dhe të shpëtojmë njerëzit”, tha ai.