LSDM akuzon pushtetin për politika të dështuara ekonomike. Zëdhënësja e kësaj partie, Bogdanka Kuzeska thotë se Maqedonia e Veriut është në listën e vendeve më të varfra në Evropë, ndërsa pushteti refuzon rritjen e pagave edhe përskaj uljes së vazhdueshme të standardit të jetesës, përcjell Gazeta Express nga Alsat.
Kuzeska thotë se një familje me dy të punësuar me paga minimale nuk kanë mjaftueshëm të holla për t’i mbuluar shpenzimet mujore. Ajo nënvizon se, që të mbulohet shporta sindikale, nevojiten 2,7 paga minimale.
Reagimi i LSDM-së vjen një ditë pasi Lidhja e Sindikatave zbardhi se shpenzimet për ushqimet janë rritur për 12% pas përfundimit të masave të qeverisë kundër rritjes së çmimeve. Sipas Lidhjes së Sindikatave, një familje në gusht shpenzon rreth 65.500 denarë për të jetuar.
“Fuqia blerëse e qytetarëve për një vit është zvogëluar për mbi 20 për qind, sipas fuqisë blerëse jemi në vendin e fundit në Evropë, ndërsa Maqedonia është në listën e vendeve më të varfra. Këto janë rezultatet e politikave të dështuara të Qeverisë së VMRO-DPMNE-së në vitin e kaluar… Qytetarët meritojnë më mirë se një qeveri kriminale që i lë vetëm të luftojnë me varfërinë dhe me faturat enorme. Nevojiten masa urgjente për rritje të pagave, ulje të shpenzimeve të jetesës dhe kujdes i vërtetë për standardin e qytetarëve”, tha Bogdanka Kuzeska, Zëdhënëse e LSDM-së.
tag_katrorimaqedoni_2