Kuvendi i Kosovës ka mbajtur dje seancën e parë konstituive pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili shumë qartë e tregon se si duhet të vazhdohet ky proces.
Në këtë aktgjykim thuhet se votimi për konstituimin e Kuvendit duhet të jetë i hapur, si dhe i njëjti kandidat mund të propozohet vetëm tre herë.
Ndonëse nga partia e parë e dal nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Vetëvendosje pati shumë reagime ndaj këtij aktgjykimi, ata e respektuan këtë aktgjykim në seancën e djeshme.
Fillimisht, përfaqësusesi i VV-së, Glauk Konjufca propozoi për votim kandidaten e tyre Albulena Haxhiun e cila mori 57 vota pro, 56 kundër dhe 3 abstenim, duke mos u zgjedhur kryekuvendare.
Për të mos “djegur” edhe dy mundësitë e mbetura për Haxhiun, në radhën e dytë të votimit, Konjufca propozoi Donika Gërvallën, e cila gjithashtu pati “fatin” e njëjtë dhe mori po aq vota sa Haxhiu.
Propozimi i Gërvallës nga VV si kandidate për kryetare të Kuvendit, u komentua shumë nga opozita, të cilët e panë si të qëllimshme pasi sipas tyre Albin Kurti dhe VV e dinin se Gërvalla nuk do të votohet.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj në një prononcim të shkurtë për lajmi.net ka thënë se rrjedha e seancës së nesërme, është në dorën e VV-së se cilin kandidat do ta propozojnë.
“Ata e dine qartë se cilët kandidatë nuk i votohen”, ka thënë Kadrijaj.
Këtë situatë, Kadrijaj e ka parë si “lojë” e Kurtit.
“Këto janë vazhdim i lojërave të Kurtit”, ka shtuar Kadrijaj.
Vota kundër nga opozita për Gërvallën ka nxitur reagime nga disa deputetë të VV-së, duke thënë se nuk është votuar për vajzën e Jusuf Gërvallës, por që në fakt mosvotimi i saj mund të lidhet me deklaratat e shumta të saj kundër krerëve të UÇK-së si dhe deklarata e saj se do të dorëzoj prova kundër krerëve të UÇK-së në Hagë.Për Donika Gërvallën, dje nuk votoi as Shqipe Mehmeti Selimi nga VV, bashkëshortja e Rexhep Selimit i cili po gjykohet në Hagë, e cila edhe ka dhënë arsyen pse nuk ka marrë pjesë në votim
“Ajo ka të bëjë me një postim të datës 7 shkurt dhe 25 mars 2020, të cilin po e bashkëngjis në këtë shkrim. Këtë shpjegim po e bëjë për hir të transparencës dhe respektit ndaj opinionit, mediave dhe në veçanti, përkrahësve e votuesve të Lëvizjes Vetëvendosje. I falënderoj për mirëkuptimin kolegët, aktivistët dhe votuesit e Lëvizjes”, ka shkruar Shqipe Mehmeti Selimi.
Në ato postime të Donika Gërvallës, ajo i drejtohej Rexhep Selimit si “një prej të dyshuarve në Hagë” dhe “figurë e diskredituar e botës së krimit”.
Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës do të mbahet nesër, nga ora 11:00, ndërsa nga VV nuk janë deklaruar se kush do të jetë kandidati i tyre për kryetar të Kuvendit.