Ka marrë fund “telenovela” Kristjan Asllani.
Ylli shqiptar është larguar përfundimisht nga Interi.
Përfaqësuesi Kuqezi në fakt do ta vazhdojë karrierën në Torino, shkruan “Gazeta Express”.
“Nerazzurri”, pasi e kishin bllokuar shitjen përfundimtare të mesfushorit kreativ fillimisht me Betisin, që i kishte ofruar rreth 12 milionë euro dhe më pas me Bolognan, që i ofroi 10 milionë euro plus 40% të rishitjes në të ardhmen, do të duhet të kënaqen me një huazim me pagesë 1.5 milion euro me të drejtë blerjeje për 12 milionë euro në fund të sezonit.
Bisedimet mes Bolognas e Interit për Asllanin ndaluan pjesërisht për shkak të mungesës së marrëveshjes mbi pagën e lojtarit, diferencë prej 300 mijë eurosh mes kërkesës dhe ofertës, pjesërisht për mungesë bindjeje nga vetë lojtari për të përqafuar projektin bolonjez.
Kështu, pista e Torinos mori gjithnjë e më shumë formë.
Asllani e zgjodhi ekipin “Granata” dhe ishte i palëkundur në vullnetin e tij dhe Interi ia plotësoi dëshirën atij.
Gjithçka mund të kryhet sot ose nesër dhe Asllani do t’i thotë lamtumirë Interit dhe do të bëhet lojtar i Torinos. /Gazeta Express