Sanksionet e SHBA-së ndaj gjykatësit të Speciales e kolegëve të tij, GJNP: Sulm flagrant, fyerje ndaj rendit ndërkombëtar dhe miliona viktimave - Gazeta Express
string(141) "sanksionet-e-shba-se-ndaj-gjykatesit-te-speciales-e-kolegeve-te-tij-gjnp-sulm-flagrant-fyerje-ndaj-rendit-nderkombetare-dhe-miliona-viktimave"

Lajme

Gazeta Express

21/08/2025 14:02

Sanksionet e SHBA-së ndaj gjykatësit të Speciales e kolegëve të tij, GJNP: Sulm flagrant, fyerje ndaj rendit ndërkombëtar dhe miliona viktimave

Lajme

Gazeta Express

21/08/2025 14:02

Gjykata Ndërkombëtare Penale i ka kundërshtuar fuqishëm sanksionet e SHBA-së kundër gjyqtarëve dhe zëvendësprokurorëve të kësaj gjykate.

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, vendosi të mërkurën sanksione ndaj dy gjyqtarëve dhe dy prokurorëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP).

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio e quajti GJNP-në “kërcënim për sigurinë kombëtare që ka shërbyer si një instrument i luftës ligjore kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit”.

Ai tregoi se gjyqtarët e sanksionuar janë Kimberly Proust nga Kanadaja dhe Nicolas Guillou nga Franca, si dhe prokurorët Nazhat Shameem Khan nga Fixhi dhe Mame Mandiaye Niang nga Senegali.

Nicolas Guillou ka qenë gjykatës në Gjykatën Speciale në Hagë, që po i gjykon ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykata Ndërkombëtare Penale shprehu keqardhje për sanksionet amerikane, duke i quajtur ato “sulm flagrant kundër pavarësisë së një institucioni gjyqësor të paanshëm që vepron nën mandatin e dhënë nga 125 Shtetet Palë nga të gjitha rajonet”.

“Ato përbëjnë gjithashtu një fyerje ndaj Shteteve Palë të Gjykatës, rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe, mbi të gjitha, miliona viktimave të pafajshme në mbarë botën”, thuhet në reagimin e GJNP-së.

Gjykata tha se qëndron në mbështetje të personelit të saj dhe “viktimave të mizorive të paimagjinueshme” dhe se “do të vazhdojë të përmbushë mandatin e saj, pa u lëkundur, në përputhje të rreptë me kuadrin e saj ligjor të miratuar nga Shtetet Palë dhe pa marrë parasysh asnjë kufizim, presion apo kërcënim”.

“Gjykata u bën thirrje Shteteve Palë dhe të gjithëve që ndajnë vlerat e njerëzimit dhe sundimit të ligjit të ofrojnë mbështetje të fortë dhe të qëndrueshme për Gjykatën dhe punën e saj që kryhet në interes të vetëm të viktimave të krimeve ndërkombëtare”, thuhet në reagim.

Sanksionet përfshijnë ngrirjen e çdo pasurie që këta persona mund të kenë në juridiksionet amerikane.

Sanksionet amerikane vijnë pas përpjekjeve të GJNP-së për t’i ndjekur penalisht liderët izraelitë dhe në lidhje me një vendim të mëparshëm për të hetuar zyrtarë amerikanë.