Korea e Veriut ka një bazë sekrete të raketave pranë kufirit të saj verior me Kinën, e cila mund të paraqesë një “kërcënim bërthamor të mundshëm” për pjesën më të madhe të Azisë Lindore dhe Shtetet e Bashkuara, sipas një raporti të ri të publikuar të mërkurën, shkruan CNN.
Baza e raketave Sinpung-dong ndodhet vetëm 27 kilometra nga kufiri me Kinën. Besohet se ruan deri në nëntë raketa balistike ndërkontinentale (ICBM) me kapacitet bërthamor si dhe lëshuesit e tyre mobilë, tha raporti i think tank-ut me qendër në Washington, Center for Strategic and International Studies (CSIS).
Sipas raportit, kjo bazë është një nga 15 deri në 20 bazat e raketave balistike dhe objektet e ruajtjes së kokave bërthamore që Koreja e Veriut nuk i ka deklaruar kurrë. Raporti është mbështetur në analizën e imazheve satelitore, intervista me refugjatë dhe zyrtarë nga Koreja e Veriut, dokumente të deklasifikuara dhe të dhëna të burimeve të hapura.
“Këto raketa paraqesin një kërcënim bërthamor të mundshëm për Azinë Lindore dhe Shtetet e Bashkuara kontinentale”, paralajmëroi raporti.
Koreja e Veriut e ka përshpejtuar programin e saj të armëve gjatë viteve të fundit nën udhëheqësin Kim Jong Un, duke modernizuar me shpejtësi forcat e saj të armatosura, duke zhvilluar armë të reja dhe duke testuar raketa balistike ndërkontinentale që mund të arrijnë pothuajse kudo në Shtetet e Bashkuara.
Këto veprime përbëjnë shkelje të sanksioneve të Kombeve të Bashkuara, të cilat kufizojnë rreptësisht qasjen e Koresë së Veriut në materiale dhe armë. Por shteti i izoluar gjithashtu ka rritur bashkëpunimin e tij me Rusinë që nga pushtimi i Ukrainës nga Moska, duke dërguar trupa për të luftuar në vijën e parë – duke ngritur frikën se Moska mund të ndihmojë në përmirësimin e teknologjive dhe linjave të furnizimit të Phenianit në këmbim.
Kjo bazë sekrete është pjesë e përpjekjeve të Koresë së Veriut për ta forcuar programin e saj bërthamor, tha raporti.
Baza ndodhet në një luginë të ngushtë malore, e prerë përgjysmë nga një përrua, dhe ka sipërfaqe 22 kilometra katrorë (rreth 5,436 hektarë) – më e madhe se Aeroporti Ndërkombëtar John F. Kennedy i New Yorkut.
Ekspertët thonë se vendndodhja e saj pranë kufirit i jep një avantazh gjeografik – vende si Shtetet e Bashkuara mund të hezitojnë ta shënjestrojnë atë pasi çdo ndotje radioaktive mund të ndikojë në Kinën fqinje.
Reisebüro Prishtina ofron shërbime të sigurta, të shpejta dhe të besueshme, duke mbetur zgjedhja kryesore për ata që udhëtojnë nga...