Në zyrat e Ministrisë së Financave në Shqipëri ka mbërritur një letër e gjatë dhe e ngarkuar me tone shqetësuese, në lidhje me çmimet e reja të referencës për shitblerjen e apartamenteve.
Është Aleanca e Profesionistëve të Lirë, një grupim që përfaqëson ekspertë të fushave të ndryshme ekonomike, që kanë ngritur shqetësimin mbi çmimet, që sipas tyre, nuk pasqyrojnë realitetin e tregut dhe rrezikon ta deformojë atë, duke sjellë shtrembërim të çmimeve. Në pamje të parë, vendimi me referencat e reja duket si një përpjekje për të vënë rregull në një treg shpesh të paqartë. Por, për profesionistët, drafti ngre më shumë pikëpyetje sesa përgjigje. Ata paralajmërojnë se, nëse miratohet në këtë formë, mund të ndodhë e kundërta e asaj që synohet, apartamentet jo vetëm që nuk do të bëhen më të arritshme, por do të shtrenjtohen edhe më shumë.
LETRA
Në dokumentin e tyre, profesionistët ndalen te një pikë kyçe: mungesa e filtrimit të transaksioneve të dyshimta. Çfarë ndodh – pyesin ata – kur në llogaritje përfshihen edhe blerje që nuk kanë lidhje me logjikën ekonomike, por me pastrimin e parave? Këto shifra, të fryra dhe joreale, futen në mesatare dhe bëhen pjesë e çmimit zyrtar. Për pasojë, tregu nuk pasqyron më realitetin, por një botë artificiale, ku apartamentet shiten e blihen me vlera të sajuara.
Një tjetër problem, sipas tyre, është vendosja e një “vlere dysheme”. Në praktikë, kjo do të thotë se edhe nëse tregu bie, çmimi nuk mund të reflektojë uljen. Ai mbetet i ngrirë, gjithmonë duke nxitur rritjen. Në vend që të pasqyrojë luhatjet natyrore të ofertës dhe kërkesës, çmimi i referencës bëhet një mur që mban çmimet lart. Por drafti nuk ndalet këtu.
Ai parashikon të përfshijë edhe projektet e papërfunduara në llogaritjet e tij. çmimi i referencës bëhet një mur që mban çmimet lart. Por drafti nuk ndalet këtu. Profesionistët shohin një rrezik serioz në këtë qasje: si mund të merret si referencë një apartament që ende nuk ka dalë në treg? Për ta, kjo është një mënyrë për të fryrë çmimet e së ardhmes, edhe pa pasur ende një treg real.
TREGU I PRONAVE
Në letrën e tyre, APL flet edhe për një tjetër aspekt shqetësues: njohjen e papërputhshmërive mes dokumenteve zyrtare dhe realitetit në terren. Me fjalë të tjera, edhe ndërtimet informale do të përfshihen në sistemin fiskal. Kjo, sipas tyre, është një formë e re “legalizimi” që jo vetëm bie ndesh me përpjekjet për formalizim, por edhe dëmton qytetarët e ndershëm. Edhe më problematike është përdorimi i metodave alternative për llogaritjen e tatimeve. Në teori, ato duhen përdorur vetëm kur tatimpaguesi shmang të dhënat reale.
Por drafti e lë këtë derë hapur për çdo rast, duke rrezikuar që administrata të ketë një pushtet arbitrar për të vendosur mbi barrën fiskale të qytetarëve. Në përfundim, zëri i profesionistëve është i qartë: drafti, ashtu siç është, nuk siguron një treg të drejtë. Ai duhet rishikuar, të vendosen kritere objektive e të matshme, të hiqen hapësirat për arbitraritet dhe çmimi i referencës të kthehet në një pasqyrë të vërtetë të tregut jo në një mjet për të fryrë artificialisht çmimet dhe për të ngarkuar qytetarët me taksa më të larta.
PROBLEMATIKAT E LIGJIT TE RI
Mungesë transparence në metodologjinë e përcaktimit të çmimeve referencë.
Përjashtim selektiv i transaksioneve që mund të krijojë çmime artificiale.
Vendosje e një vlere dysheme që pengon reflektimin e tregut real.
Përdorim i projekteve të ardhshme si faktor për përcaktimin e çmimeve, duke krijuar rrezik për deformim të tregut.
Dispozita që rrezikojnë të legjitimojnë ndërtime pa dokumentacion.
Mospërputhje mes trajtimit fiskal dhe dokumentacionit ligjor.
Përdorim i metodave alternative të llogaritjes së taksës pa kufizime të qarta, që mund të rëndojnë padrejtësisht tatimpaguesit./Gazeta Panorama