Mosmarrëveshje me Kusarin për Gjakovën, Selimi s'ia voton Gërvallën, dy problemet që i dolën Kurtit me partnerët e vegjël - Gazeta Express
string(118) "mosmarreveshje-me-kusarin-per-gjakoven-selimi-sia-voton-gervallen-dy-problemet-qe-i-dolen-kurtit-me-partneret-e-vegjel"

Lajme

Gazeta Express

21/08/2025 11:48

Mosmarrëveshje me Kusarin për Gjakovën, Selimi s’ia voton Gërvallën, dy problemet që i dolën Kurtit me partnerët e vegjël

Lajme

Gazeta Express

21/08/2025 11:48

Albin Kurti që s’e merr parasysh rolin e Mimoza Kusarit në Gjakovë dhe Shqipe Selimi që s’e voton Donika Gërvallën për kryeparlamentare. Çfarë tregojnë zhvillimet e fundit për partneritetin e LVV-së me dy partitë e vogla, Alternativën e Guxo-n?

Gazeta Express

Alternativa, partia e Mimoza Kusari Lilës e shënoi 8-vjetorin e themelimit me një ceremoni më 27 korrik. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka rreth pesë vjet që bashkëpunon me këtë parti të vogël dhe atë natë ishte aty.

Kurti pati fjalë shumë të mira për Kusari Lilën, të cilës ia besoi pozitën e shefes së grupit parlamentar të partisë në Kuvend në legjislaturën e kaluar.

Kur foli për bashkëpunimin me Alternativën, Kurti shkoi deri aty sa tha se ai “mbase do të futet në manualet e shkencave politike”.

“Ka qenë një bashkëpunim i ndërsjelltë me qëllime të përbashkëta dhe me mirëkuptimin për dallimet që nuk na ndajnë por na ndihmojnë të shohim të gjitha nuancat e shoqërisë. Alternativa ka dhënë dëshmi të plotë për besnikëri të votës dhe besimit të cilin na e kanë dhënë qytetarët. Sonte dua ta falënderoj kryetaren Mimoza Kusari-Lila për punën që ajo nuk e ndali kurrë për forcën e saj që s’ia pamë kufinjtë asnjëherë. Mimoza këto katër vite ju drejtoi ju por na drejtoi edhe ne si kryetare e Grupit Parlamentar. Ky bashkëpunim mbase do të futet në manualet e shkencave politike kur flitet për koalicionet dhe partneritetet”, shprehej Kurti.

Prej asaj nate, Kusari Lila është kthyer të përqendrohet pothuajse vetëm me punët e brendshme partiake në Alternativë, dhe jo fort te roli në kuadër të partneritetit me Lëvizjen Vetëvendosje, siç dëshmon aktiviteti i bërë publik prej saj në Facebook gjatë kësaj periudhe.

Ish-kryetarja e Komunës së Gjakovës e pa të anashkaluar rolin e saj politik në vendlindjen e saj, kur Kurti vendosi në fillim të gushtit që, në kundërshtim me vullnetin e saj, ta zyrtarizojë Ardian Golën si kandidat për kryetar.

Kusari Lila nuk mori pjesë në ndejën e organizuar nga LVV-ja në Gjakovë, ku u zyrtarizua kandidatura e Golës, edhe pse paraprakisht flitej se kryetari i qendrës së LVV-së atje, Agon Batusha do të kandidonte.

Gola, i cili në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nuk mori mjaftueshëm vota për t’u zgjedhur deputet, u tha zyrtarisht se nuk ka raporte të mira me Kusari Lilën, pikërisht për shkak të rezultatit që doli nga ai proces votimi.

Kusari Lila kishte kërkuar që kandidati për kryetar të Gjakovës të jetë një emër i pranueshëm si për LVV-në, ashtu edhe për Alternativën.

Mbetet të shihet se si do të ndikojë në proceset e ardhshme politike dhe zgjedhore ky vendim i Kurtit për të mos e marrë parasysh Kusari Lilën, e cila vazhdon të gëzojë mbështetje të madhe qytetare, sidomos në Gjakovë.

Mimoza Kusari Lila nuk është parë më duke folur në emër të grupit parlamentar nga hapësirat e Kuvendit, siç ndodhte më herët.

Deputetët u kthyen dje në Kuvend, pasi aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese qartësoi rrugën që duhet ndjekur për konstituimin e Kuvendit.

Kurtit të mërkurën i doli edhe një problem tjetër edhe në raport me partnerin tjetër qeveritar, partinë Guxo.

Kryetarja e kësaj partie, Donika Gërvalla u propozua për kryetare të Kuvendit, pasi Albulena Haxhiu para saj nuk arriti t’i merrte votat e nevojshme për t’u zgjedhur në atë pozitë.

Disa deputetë qeshën pasi Glauk Konjufca doli për herë të dytë në foltore në emër të grupit parlamentar, dhe e përmendi emrin e Gërvallës.

“Mirë, atëherë kësaj radhe Lëvizja Vetëvendosje e propozon deputeten Donika Gërvalla për kryetare të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha ai. “Mos qeshni, por ju lutem votojeni atë”, shtoi ish-kryetari i Kuvendit, dhe vetë atij iu qesh ndërsa e tha këtë.

Deputetja Shqipe Mehmeti Selimi, bashkëshortja e ish-komandantit të UÇK-së dhe ish-shefit të grupit parlamentar të LVV, Rexhep Selimit, i cili po mbahet në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, nuk votoi për Gërvallën.

Mehmeti Selimi po pinte ujë kur kryesuesi i seancës kërkoi të votohej për Gërvallën, dhe shpejt u gjet arsyeja. Ajo s’i kishte harruar fjalët të cilat kryetarja e Guxo i kishte thënë për bashkëshortin e saj.

Gërvalla nëpërmjet disa postimeve në Facebook në vitin 2020 e quante “të shëmtuar” faktin që LVV-ja e kishte bërë Selimin shef të grupit parlamentar, dhe atë e quante “një prej të dyshuarve të Hagës” dhe “figurë të botës së krimit”.

Një fotografi që tregon dy postimet e Gërvallës ku ajo shkruan për Selimin, deputetja e LVV-së i publikoi në Facebook duke konfirmuar se pse nuk e votoi.

“Në përgjigje të interesimit të madh të mediave dhe opinionit publik lidhur me arsyen se pse nuk mora pjesë në votim gjatë seancës së sotme, dëshiroj të sqaroj se mospjesëmarrja ime nuk lidhet me motive partiake. Ajo ka të bëjë me një postim të datës 7 shkurt dhe 25 mars 2020, të cilin po e bashkëngjis në këtë shkrim. Këtë shpjegim po e bëjë për hir të transparencës dhe respektit ndaj opinionit, mediave dhe në veçanti, përkrahësve e votuesve të Lëvizjes Vetëvendosje. I falënderoj për mirëkuptimin kolegët, aktivistët dhe votuesit e Lëvizjes”, shkroi ajo.

Edhe Gërvalla, nga ana tjetër, reagoi me një shkrim të shkurtër, duke cituar disa fjalë të babait të tij, Jusuf Gërvalla, nga një letër të cilën ai në vitin 1980 ia dërgonte nënës së tij:”E thënë me fjalët e poetit: “Rruga e nderës asht ma e zorshmja, po ma e mira dhe e vetmja rrugë e vërtetë për njeriun. Dhe, kush u mundue për nder, nder ka gjetë!””.

Këto zhvillime ndoshta nuk ngrenë pikëpyetje serioze mbi kohezionin e partneritetit të LVV-së me Alternativën dhe Guxo-n, por po tregojnë diçka për shëndetin e këtij bashkëpunimi.