Një valë moti të keq ka përfshirë disa rajone të Italisë, duke shkaktuar përmbytje, dëme materiale dhe ndërprerje të energjisë elektrike. Situata paraqitet e rënduar në veri dhe në pjesë të qendrës së vendit, ku reshjet intensive të shiut kanë detyruar autoritetet të ndërhyjnë me urgjencë.
Në rajonin e Venetos, problemet më të mëdha janë regjistruar në Venezia, ku komunat e Spinea, Mirano, Mestre dhe Marghera janë goditur rëndë nga përmbytjet. Nënkalimet janë mbushur me ujë, duke shkaktuar bllokime të trafikut dhe duke rrezikuar jetën e qytetarëve.
Në Padova, përmbytje dhe dëme të konsiderueshme janë regjistruar në Casale di Scodosia, Merlara, Villafranca Padovana dhe Mestrino. Mbi 130 telefonata për ndihmë janë regjistruar në sallën operative të zjarrfikësve, të cilët kanë kryer të paktën 30 ndërhyrje për dëme nga uji dhe pemë të rrëzuara.
Situatë e ngjashme paraqitet edhe në jug të Milanos, në veçanti në zonën e Lacchiarella, ku janë raportuar përmbytje me nivele uji deri në 40 centimetra në rrugë. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë për të pastruar bodrume dhe për të zhbllokuar rrugët. Ndërkohë, në Prato, moti i keq ka shkaktuar rënie të degëve dhe pemëve, disa prej të cilave kanë dëmtuar makina dhe çati banesash.
Edhe qyteti i Viterbos është goditur nga një stuhi e fuqishme me breshër, shi të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta, të cilat kanë shkaktuar përmbytje dhe ndërprerje të energjisë në disa pjesë të qytetit. Nënkalimet kryesore janë shndërruar në rrjedha të rrezikshme uji dhe një degë e madhe është rrëzuar në mes të sheshit Verdi.
Në Romë dhe provincën përreth, janë regjistruar mbi 100 ndërhyrje të zjarrfikësve për shkak të pemëve të rrëzuara, objekteve të rrezikshme dhe dëmeve të tjera të shkaktuara nga moti i keq. Më të goditura kanë qenë zonat në juglindje të kryeqytetit dhe bregdeti mes Fregenes dhe Ostias.
Për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike, autoritetet kanë shpallur alarmin portokalli për rrezik të lartë në pesë rajone.