Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se, sipas të dhënave të pranuara sot, në nivel vendi janë regjistruar gjithsej 25 vatra zjarri.
Nga këto, 3 vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa 22 janë lokalizuar.
Me këtë rast, AME-ja u ka bërë apel qytetarëve të denoncojnë rastet e zjarrvënies dhe të raportojnë në numrat emergjentë.
“Agjencia u bën apel të gjithë qytetarëve që të denoncojnë tek organet ligjzbatuese çdo rast të zjarrvënies, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë në numrat emergjentë 112, 193 dhe 192.
Në të njëjtën kohë, Agjencia shpreh mirënjohje për përkushtimin dhe angazhimin e pjesëtarëve të Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, të cilët po veprojnë pandërprerë në terren për menaxhimin e situatës” thuhet në njoftim.