Tifozeria e Kombëtares së Kosovës, Dardanët, ka bërë një thirrje për futbollistin, Leon Avdullahu.
Në një postim në faqen e tyre, ata i janë drejtuar talentit me fjalë plot emocion:
“LEON, Kosova është vendi i gjyshit e babit tënd, ti je shqiponja që Kombin e gëzon. Veç në Kosovë nuk je i huaj.”
Dardanët theksojnë se nuk kanë bërë asnjëherë më parë thirrje të drejtpërdrejta për një futbollist, por kësaj radhe e shohin të domosdoshme.
Arsyeja është thirrjet dhe tentativat e kombëtareve të tjera për ta marrë lojtarin, të cilin e konsiderojnë “yllin e Kosovës”.
“Leon do të thotë Luan. E luani është i fortë vetëm tek kombëtarja që e përfaqëson. Këtu do të jesh gjithmonë luan, mbret. Pas teje do ta kesh gjithë tufën e Dardanëve për çdo lëvizje, edhe kur nuk do të kesh momente të mira”, shkruajnë ata.
Në fund, mesazhi i tyre është i qartë dhe i fuqishëm:
“Leon, mos harro: Këtu vlen. Këtu çmohesh. Këtu do të të duan pa interes.”