Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjakovës, Shefqet Shehu, ka publikuar një video-mesazh për qytetarët, ku është zotuar se do t’i japë fund ujërave të zeza në lumin Erenik – një nga pasuritë më të mëdha natyrore të komunës.
“Ereniku është bukuria jonë, është pasuria jonë, është dhuratë e Zotit për këtë vend. Na takon neve, qytetarëve të Gjakovës, që ta mbrojmë, ta zhvillojmë dhe t’ia kthejmë jetën që meriton. Ereniku me ujë të pastër do të thotë bujqësi e shëndetshme, turizëm i shëndetshëm dhe ekonomi e shëndetshme. Për këtë arsye, unë dhe ekipi im do t’i japim fund njëherë e përgjithmonë derdhjes së ujërave të zeza në këtë lumë,” ka deklaruar Shehu.
Shefqet Shehu ka theksuar se projekti i tij për Erenikun është pjesë e vizionit më të gjerë për një Gjakovë më të pastër, më të shëndetshme dhe më të zhvilluar. Ai tha se pastrimi i lumit do të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve, në zhvillimin e bujqësisë, rritjen e turizmit dhe përmirësimin e mjedisit.
“Do të investojmë në infrastrukturë moderne të trajtimit të ujërave të zeza, do të ndërtojmë kapacitete të qëndrueshme dhe do të bëjmë që Ereniku të kthehet në atë që e meritojmë, një pasuri për qytetarët e Gjakovës dhe përtej” – u shpreh ai.
Shehu përfundoi mesazhin e tij duke thënë:
“Na priftë e mbara! Zoti e bekoftë këtë mrekulli tonën!”
Ky zotim i kandidatit të LDK-së, Shefqet Shehu vjen si një ndër prioritetet kryesore të programit të tij për zhvillimin e Gjakovës, duke vendosur në qendër të vëmendjes mjedisin, shëndetin publik dhe ekonominë lokale.