LVV kthehet në koordinata të Kushtetutës, me Albulena Haxhiun e Donika Gërvallën rinis "përpjekja" e Albin Kurtit për konstituimin e Kuvendit - Gazeta Express
string(138) "lvv-kthehet-ne-koordinata-te-kushtetutes-me-albulena-haxhiun-e-donika-gervallen-rinis-perpjekja-e-albin-kurtit-per-konstituimin-e-kuvendit"

Lajme

Gazeta Express

20/08/2025 15:20

LVV kthehet në koordinata të Kushtetutës, me Albulena Haxhiun e Donika Gërvallën rinis “përpjekja” e Albin Kurtit për konstituimin e Kuvendit

Lajme

Gazeta Express

20/08/2025 15:20

Lëvizja Vetëvendosje, që u gjet se e shkeli Kushtetutën, sot u desh të hiqte dorë nga insistimi për ta bërë të fshehtë votimin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Partia e Albin Kurtit sot e zbatoi aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, por gjithsesi, duke propozuar për kryeparlamentare Albulena Haxhiun dhe Donika Gërvallën, që nuk arritën t’i merrnin 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.

Gazeta Express

Pothuajse nga e para rinisi sot “përpjekja” për konstituimin e Kuvendit.

Kryesuesi i seancës konstituive, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, për të cilin Gjykata Kushtetuese tha se e ka shkelur Kushtetutën, u desh të hiqte dorë nga propozimi për ta bërë të fshehtë votimin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pasi Kushtetuesja ia bëri të qartë se si duhet të veprojë.

“Të nderuara deputete, të nderuar deputetë, të nderuar të pranishëm, të nderuar përfaqësues të ambasadave të akredituara në Prishtinë, konstatoj se në sallë jemi të pranishëm 116 deputetë. Seanca konstituive e legjislaturës së nëntë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e filluar më 15 prill 2025, në vazhdimin e saj më 26 korrik 2025, është ndërprerë për shkak të caktimit të masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese deri në vendimin përfundimtar”. Kështu e nisi kryesuesi fjalën e tij.

Tha se seanca konstituive po vazhdon “pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”. Tregoi se atij, si të gjithë deputetëve, u është dorëzuar vendimi pasi ai u publikua të hënën.

“Bazuar në këtë aktgjykim, kryetari i Kuvendit zgjidhet me votim të hapur. Votimi për kandidatin apo kandidaten e njëjtë mund të realizohet vetëm deri në 3 herë. Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të zgjedhen brenda 30 ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të aktgjykimit. Andaj procedojmë me rendin e ditës”, tha Dehari, pa e përmendur pikën ku thuhet se ai vetë s’e kishte zbatuar aktgjykimin paraprak dhe kishte vepruar në kundërshtim me Kushtetutën.

Pasi kryesuesi e ftoi grupin më të madh parlamentar që ta bënte propozimin, Glauk Konjufca doli në foltore për të thënë se emri i LVV-së mbetej i njëjtë – Albulena Haxhiu.

Ajo i mori vetëm 57 vota, 56 deputetë votuan kundër zgjedhjes së saj, ndërsa 3 abstenuan.

Dehari e vazhdoi seancën duke e ftuar sërish LVV-në ta bëjë propozimin.

Konjufca doli për herë të dytë në foltore në emër të grupit parlamentar, dhe këtë herë e propozoi Donika Gërvallën, ministren në detyrë të Punëve të Jashtme, për kryetare të Kuvendit.

“Mirë, atëherë kësaj radhe Lëvizja Vetëvendosje e propozon deputeten Donika Gërvalla për kryetare të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha Konjufca.

Me t’u përmendur emri i Gërvallës, në Kuvend u dëgjuan të qeshura.

“Mos qeshni, por ju lutem votojeni atë”, tha ish-kryetari i Kuvendit, por vetë atij iu qesh ndërsa e tha këtë.

Gjykata Kushtetuese vendosi së fundmi se deputetët nuk e kishin zbatuar aktgjykimin paraprak të 26 qershorit, sipas të cilit Kuvendi duhet të konstituohej deri më 26 korrik. Të gjitha seancat e mbajtura gjatë kësaj periudhe kohore u shpallën të pavlefshme.

Kushtetuesja, që është autoriteti përfundimtar në Kosovë për interpretimin e Kushtetutës, i tregoi LVV-së se ajo vazhdoi të bënte shkelje duke u përpjekur çdo dy ditë ta bënte të fshehtë votimin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pasi e propozuara e këtij subjekti politik, Albulena Haxhiu dështoi disa herë t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u bërë kryeparlamentare.

LVV-ja tani thotë se “Gjykata Kushtetuese e shkeli Kushtetutën”, pak javë pasi thonin se të tjerët që s’e interpretonin si ta, po e keqlexonin një aktgjykim paraprak të kësaj gjykate.

LVV-ja thoshte se të tjerët s’e kishin lexuar mirë aktgjykimin e mëhershëm

Ngërçin politik në Kuvend nuk e kishte zgjidhur aktgjykimi paraprak, i cili interpretohej në mënyra të ndryshme dhe që sipas ish-kryetarit i Gjykatës kushtetuese, Enver Hasani ishte “i ndrojtur dhe nuk i ka shkuar deri në fund zgjidhjes së ngërçit”.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thoshte se PDK-ja dhe LDK-ja “e kanë keqlexuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe po e keqinterpretojnë atë publikisht”, pas një takimi që e kishte pasur me kryetarët e të dyja partive më 28 qershor, pas shpalljes së aktgjykimit paraprak nga Kushtetuesja.

“Gjykata Kushtetuese nuk ka thënë që komisioni për votim të fshehtë është antikushtetues dhe as që votimi i fshehtë është i tillë. Po ashtu Gjykata Kushtetuese nuk thotë askund që kryesuesi Avni Dehari ka bërë ndonjë shkelje”, thoshte ai.

Tani që Kushtetuesja precizoi se Dehari ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën dhe nuk e ka zbatuar aktgjykimin paraprak, e urdhëroi atë që të vazhdojë me pikën e tretë të rendit të ditës, duke e ftuar grupin më të madh parlamentar që ta propozojë kandidatin/en për kryetar/e të Kuvendit, “përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”.

Deputetët u urdhëruan që të jenë të pranishëm dhe të votojnë për, kundër apo të abstenojnë, si dhe që kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit të zgjidhen brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi. Ai hyri në fuqi të hënën, më 18 gusht.