Spanja e ka vazhduar të martën luftën me disa zjarre të mëdha pyjore në një nga sezonet më shkatërrimtare si pasojë e zjarreve në dekadat e fundit, pavarësisht se temperaturat në Gadishullin Iberik kanë rënë.
Mijëra zjarrfikës, të ndihmuar nga ushtarë dhe avionë cisternë, punuan për t’i shuar flakët që kanë përfshirë pyjet, veçanërisht në veriperëndim të Spanjës, ku agjencia meteorologjike AEMET raportoi rrezik “shumë të lartë ose ekstrem” për zjarre, sidomos në rajonin e Galicisë.
Zjarret në Galici kanë shkatërruar qytete të vogla, duke i detyruar vendasit në shumë raste të ndërhyjnë para se të mbërrinin zjarrfikësit.
Njësi zjarrfikëse nga Gjermania mbërritën në veri të Spanjës të martën për të ndihmuar në luftimin e zjarreve, njoftoi Ministria e Brendshme e Spanjës.
Më shumë se 20 automjete u dërguan për ta luftuar një zjarr aktiv në Jarilla, në rajonin Extremadura, që kufizohet me Portugalinë, tha Ministria.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, e vizitoi zonën e zjarreve të martën, ku foli për të nxehtin e ditëve të fundit që ka ushqyer flakët.